“Nexhmija ishte ‘nëna sherrit’”, sekretari personal i Enver Hoxhës zbulon prapaskenat

Të shërbejë në kabinetin e Enverit dhe të ishe jashtë vëzhgimit të Nexhmijes, bashkëshortes së tij, ishte e pamundur. Ajo shfaqej e zhdukej si fantazmë në çdo hap, duke vigjiluar besnikërinë ndaj diktatorit, por jo vetëm. Pavarësisht detyrës zyrtare si drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, zonja Hoxha veçanërisht në aparatin e Komitetit Qendror ushtronte një pushtet të jashtëzakonshëm që mjaft herë prodhonte vendimmarrje të shëmtuara.

Më shumë se kaq, shkruan në kujtimet e tij ish-ndihmësi i Enverit, Vahid Lama i cili në shkrimin e publikuar nga Gazeta Panorama.al sjelljet plot ligësi e intriga e kishin kthyer në një përbindësh të rrezikshëm, sidomos për grupin e redaktorëve të librave të diktatorit.

Pikërisht për këto arsye, Nexhmijen në biseda mes miqsh e quanim “nëna e sherrit”, shprehet Lama. Juristi që ka punuar 13 vite në paradhomën e Hoxhës, duke veçuar episodin e përplasjes me “Zonjën e hekurt” para arrestimit për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe pushtetit popullor…

BISEDA PËR NJË MINISTËR

Një ditë po bisedoja në zyrë me një punonjës të aparatit të Komitetit Qendror për sëmundjen e tim biri, Dritanit, i cili vuante nga një hipermetropia e theksuar. Lloji i syzeve që i duhej, asokohe nuk figuronte fare në tregun vendës. Numra të tillë nuk i posedonte as dyqani i optikës dhe as Klinika speciale e destinuar për udhëheqjen.

E vetmja mundësi mbetej të porositeshin jashtë shtetit. Sipas rregullit, kjo sigurohej me urdhër të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë.
-Punë që bëhet, u mundua të më qetësojë kolegu, duke shtuar se po të ishte nevoja do ndërhynte edhe ai te ministri…


-Është e pamundur, e kam provuar disa herë, iu përgjigja aty për aty, por ministri bën porosi vetëm për anëtarët e Byrosë Politike dhe miqtë e tij. Të tjerët nuk i ka në hesap fare.


-Nuk besoj se është ashtu, shtoi kolegu me vështrim nga dritarja. -Unë po e heq në kurriz e ti më thua se ministri përgjërohet për syzet e tim biri…
-Me një fjalë, ky ministri sipas teje është… -Një burokrat i pashpirt, një servil që s’ia gjen shokun, ia ktheva gjithë pezm duke i prerë fjalën në mes.


-Sidoqoftë, aty nuk ka shkuar vetë, shtoi kolegu duke më kujtuar se ministër ishte emëruar nga udhëheqja…

-Burokratë e të pashpirtë edhe ata që e kanë emëruar, shpërtheva pa mundur të frenoja makthin që më kishte mbërthyer dhe vazhdova me një fjalor të pazakontë për natyrën time.
-Më fal që po ta them në sy, shoku Vahid, por ju po fyeni udhëheqjen e Partisë. Ti e di që ministrat i emëron Byroja Politike – përfundoi kolegu me një skuthllëk prej provokatori. Pastaj u çua nga karrigia ku ishte ulur dhe doli si hije.

Më vonë mora vesh se ato që i kisha thënë në adresë të ministrit të pashpirt, i kishte transmetuar të ngrohta aty ku i kërkoheshin. Unë këtë e mendoja, por nga dëshpërimi nuk u përmbajta.

Në zemërim e sipër nuk mora parasysh se kush më dëgjonte. Së paku, mendoja të mos e merrte vesh Nexhmija, se nuk të falte. Por kisha qenë pa fat…

“NËNA E SHERRIT”

Ishte vera e vitit 1981. Familja Hoxha pushonte në vilën luksoze diku në periferi të Pogradecit. Në një prej atyre ditëve. Nexhmija më solli disa materiale me refleksione të Enverit, “Për metodën dhe stilin në punë”, që ishin zbardhur nga diktofoni që përdorej për bisedat e Hoxhës. Ajo më porositi që të merreshe me redaktimin e tyre.

Meqenëse po merresha me redaktimin e “Ditarit” të Enverit, që parashikohej të botohej me urgjencë, detyrë kjo që më ishte dhënë nga vete ai. I thashë se pa mbaruar këtë punë, e kisha të pamundur të filloja një tjetër. Pasi u mendua pak, ajo tha:

-Mirë pra, le ta redaktojë Fatri Sinani (një koleg yni, që kohë më parë kish filluar punë aty), unë po bisedoj me shokun Ramiz që ta shikojë edhe ai pas redaktimit e t’i japë dorën e fundit para se t’i dërgohet shokut Enver për ta miratuar përfundimisht.

Kështu u veprua. Fatriu punoi intensivisht dhe e redaktoi me kujdes materialin. Alia e pa dhe, me fare pak vërejtje, ishte dakord. Vërejtjet, sikurse tha Ramizi pasi i hodhi edhe një sy pasqyrimit të tyre, ishin realizuar mirë nga Fatriu.

Pas kësaj procedure, dorëshkrimi i librit u dërgua në Pogradec. Nexhmija më mori në telefon pas tri ditësh dhe më komunikoi: -Enveri është i kënaqur për punën me cilësi që ka bërë Fatri Sinani në redaktimin e librit, prandaj porositi që të inkurajohet dhe të përgëzohet në emër të tij.

E thirra në zyrë redaktorin e “librit” dhe i kumtova sa më sipër. Ai, doemos, u gëzua për vlerësimin e punës së bërë. U duk sikur çdo gjë përfundoi mirë e bukur. Por, “dardha e ka bishtin prapa”. Të nesërmen më telefonoi përsëri Nexhmija dhe, krejt ndryshe nga një ditë më parë. Me tone zemërimi, m’u drejtua: -Materiali që dërguat nuk u pëlqye nga shoku Enver!

Ai sa e lexoi e grisi dhe e hodhi në kosh. Ç’kishit bërë ashtu? Ti, si më me eksperiencë në këto punë, mban përgjegjësi të rëndë para Partisë.

Shoku Enver tha se në material kishin kaluar mjaft gjera të pakontrolluara. Aty për aty mendova t’i them si ishte e mundur. Kur shoku Enver një ditë më parë kishte qenë i kënaqur pikërisht për redaktimin e këtij materiali, por ajo e mbylli telefonin menjëherë…

Ndjeva të më tallavitej tavolina dhe objektet e tjera të zyrës. Rashë në mendime dhe thirra Fatri Sinanin për t’i treguar çfarë më tha Nexhmija.

Edhe ai u çudit e si nëpër dhëmbë pëshpëriti: “Dje na thanë se ai mbeti i kënaqur. Ç’paska ndodhur sot? Në këto situata që nuk duken fort të këndshme, mos po kërkohet ndonjë “koke turku”?

As ai, as unë nuk e ngamë muhabetin më tej. Ishte kohë e rëndë. Njerëzit e ndershëm ishin të hapur, por edhe të përmbajtur. -Ku do ta kenë hallin që po na bien në qafë, – mendoja me vete.

Si Enveri, edhe Nexhmija, të dy, e dinë mirë që për atë libër unë nuk kisha punuar. Një ditë më parë e përgëzuan zotin Sinani. Prandaj për këtë rast nuk shikoja përgjegjësi as te ai, e ca më pak te vetja. Si mund të përgjigjesha për një punë që nuk më ishte ngarkuar.

Sigurisht këtu fshihej diçka ogurzezë, e organizuar nga mjeshtrit e situatave të tilla. Zoti Sinani kish pasur të drejtë kur dyshonte se sinjalet tregonin se kërkohej një “kokë turku”. Përveç ligësive dhe intrigave, nuk mund të prisje tjetër nga “nëna e sherrit”, nga ajo krijesë e pashpirt.

ALIA E HODHI “KOPILIN” NË PREHRIN E TJETRIT!

Nuk po gjeja qetësi, nuk më zinte vendi. Po ç’ishin ato gjera “të pakontrolluara” që paskeshin kaluar në material për të cilat foli Nexhmija?

Për sa kohë që redaktori përpunonte ato ide që thoshte Enveri dhe nuk kishte bërë ndonjë falsifikim, atëherë gjerat e pakontrolluara i takojnë atij që paska folur broçkulla.

Kështu po mendoja kur, i shtyrë nga një forcë e brendshme, u ngrita në këmbë dhe u nisa për nga zyra e Ramiz Alisë, të cilit i shpjegova ngatërresen që kishte ndodhur.

Shpresoja që ai, i njohur me çështjen, të më ndihmonte, por isha gabuar. Alia, megjithëse ishte anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror, nuk po guxonte të binte ndesh me qëndrimin absurd të zonjës Hoxha.

-Atë material unë e kam lexuar shpejt e shpejt, sa për t’u njohur me ato që thoshte shoku Enver e jo për të mbikëqyrur redaktimin, – tha ai gjithë hipokrizi. -Ti nuk duhet të vish tek unë, por më parë merru vesh me shoqen Nexhmija. Këto s”janë punët e mia, -përfundoi Ramizi.

-Mirë pra, shoku Ramiz, kjo barrë më mbeti mua në kurriz. Kam për ta mbajtur, pasi nuk kam çfarë të bëj. A nuk ju kujtohet që atë material e studiuat edhe ju. Madje pasi shprehet vlerësime të mira për redaktimin e tij, porositët për ta çuar për botim. Isha unë që këmbëngula për t’ia çuar autorit që ta shikonte edhe një herë, sikurse kishte porositur shoqja Nexhmije, e pastaj të botohej.

Vërtet nuk e mbani mend këtë bisedë të zhvilluar midis nesh para disa ditësh?! -Jo, jo, asgjë s’më kujtohet. Mbase nuk jemi marrë vesh mirë,- përfundoi ai pa më vështruar në sy, sa për të më hequr qafe. U largova që aty i vrarë shpirtërisht dhe i zhgënjyer si asnjëherë.

“Këtu suksesi paska qindra baballarë, kurse humbja mbetet jetime”, pëshpërita me vete ndërsa shkoja në zyrën time… Alia pa kurrfarë droje bëri të paditurin. Ai nuk njihej si guximtar dhe si i tillë nuk kishte si të më ndihmonte në hallin që më kishte zënë.

Ramizi aty të buzëqeshte e të fliste me “përzemërsi” dhe, më pas, po të binte ngushtë, mbante qëndrim krejt tjetër e të priste në besë pa u skuqur. Shpesh një shoku ynë, kur binte fjala për këtë cilësi të tij, thoshte në mirëbesim: “Mos rafsh keq, se Ramizi ta hedh “kopilin” në prehër e të lë në baltë”…/panorama

LEXO EDHE: MARIE SHLLAKU, SHKODRANIA 24-VJEÇARE QË U PUSHKATUA NGA KOMUNISTËT