Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kulturës” për vitin 2018.
Ndër të tjera, nga këto statistika mësohet se numri i lexuesve në Kosovë gjatë vitit 2018 në bibliotekat publike ishte 156.535. Nëse e krahasojmë me statistikat e vitit 2017 shohim se numri i lexuesve nëpër bibliotekat tona ka rënë për 1.641 sosh. Rënia më e madhe ishte në vitin 2017, kur sipas statistikave Kosova numëroi 120.000 lexues më pak se në vitin paraprak. Zvogëlimi i lexuesve nëpër biblioteka po shihet me shqetësim nga librarët, njohësit e fushës, e dashamirët e fjalës së shkruar. Por për këto statistika të publikuara ditë më parë nuk ka pranuar të flasë askush nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë ose nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Zeneli: Këtu ka dështuar shteti
Me shqetësim e kanë pritur lajmin për rënien e numrit të lexuesve në Shoqatën e Botuesve të Kosovës. Edon Zeneli, kryetar i kësaj Shoqate, fajin për këtë rënie e drejton kah institucionet shtetërore. Sipas tij, ky është një tjetër dështim i shtetit në raport me librin dhe është shqetësuese se asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka reaguar për këto statistika e as nuk ka shpalosur një plan konkret për të bërë diçka në këtë drejtim. “Një popull që s’lexon nuk ka të ardhme të ndritur. Unë nuk mund të them që rinia jonë nuk lexon, sepse u hyj në hak shumë të rinjve që lexojnë. Panairi i Librit është dëshmi për këtë. Çdo vit kemi rritje të shitjes e rrjedhimisht edhe të leximit. Por këtu ka dështuar shteti”, tha Zeneli.
Tutje i pari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës u shpreh se nëse braktisesh nga 121.641 lexues në krye të dy vjetëve i bie që nuk je duke investuar në infrastrukturën librore pothuajse fare. “Neve na tronditi ky lajm vitin e kaluar dhe për fatin tonë të keq unë nuk e kam parë asnjë reagim nga ministri, nga Biblioteka Kombëtare, nga asnjë përgjegjës. Kjo neglizhencë është e tmerrshme”, theksoi ai.
Sipas tij, të kesh në krye të Ministrisë së Kulturës e në krye të Bibliotekës Kombëtare njerëz që e pranojnë një rezultat të tillë në heshtje dhe nuk veprojnë asfare përbën dyfish shqetësim. I pyetur se çfarë masa do të duhej të merreshin në raste të tilla Zeneli thotë se ka shembuj të ndryshëm në të cilët organet kompetente mund të bazohen. Këtu përmend Ukrainën, që ka themeluar Institutin e Librit. Fuqizimin e librit dhe përdorimin e kreativitetit për të tërhequr lexues ai i sheh si të domosdoshëm për të pasur lëvizje pozitive në këtë drejtim. “Për një kohë kaq të gjatë është punuar keq, shumë keq nga zinxhiri udhëheqës i Kulturës dhe rezultati është veçse tregues i kësaj. Ne mund të marrim shembuj gjithandej botës se si veprohet në raste të tilla. Shteti i Ukrainës ka themeluar Institutin e Librit dhe në krye të pesë vjetëve rezultatet që ata korrin janë mbresëlënëse. Pra duhet investim buxhetor dhe shumë i rëndësishëm ky, ato mjete të shkojnë për qëllimin e duhur. Furnizimi i bibliotekave me libra si kusht i parë dhe kreativiteti për të tërhequr lexues si kusht i dytë”, thotë Zeneli.
Sipas Zenelit, edhe pse këto statistika për lexueshmëri maten vetëm me numrin e të anëtarësuarve në bibliotekat publike në Kosovë, fatkeqësisht qëndrojnë sepse një ulje kaq e madhe brenda dy vjetëve nuk mund të rikuperohet me shitjen e librave nëpër librari. “Nëse janë 121.641 lexues më pak në krye të dy vjetëve në bibliotekat publike, nuk ka asnjë shans që kjo të rikuperohet me shitjen e librave nëpër librari si mundësi e zëvendësimit të leximit në bibliotekat publike. Ne jemi të vetëdijshëm që, ta zëmë, në panairet e librave sikurse nga libraritë private, të dhënat që na vinë janë pozitive. Por kjo nuk e zëvendëson as për së afërmi këtë rezultat negativ”, përfundon kështu ai.
Shqetësues edhe niveli i lexueshmërisë te nxënësit
Edhe organizata ETEA, që synon edukimin publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit te të rinjtë dhe të përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë, e sheh si shqetësuese rënien e numrit të lexuesve.
Drejtori i kësaj Organizate, Agon Ahmeti, thotë për “Zërin” se përgjegjës për mungesën e kulturës së leximit janë të gjithë anëtarët institucionalë, duke filluar nga dikasteret qeveritare e bibliotekat. “Që nga përfundimi i luftës kanë kaluar mbi 20 vjet dhe çdoherë në buxhetet vjetore të qeverive prioritet kanë qenë autostradat, ndërsa kultura e arsimi janë lënë krejt në fund. Nuk përjashtohet nga mendja se kjo ka qenë edhe e qëllimshme, pasi një popull i ndërgjegjësuar nuk pranon çfarëdo prijësi dhe nuk toleron çfarëdo politike. Së fundmi kishim zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe gjatë gjithë fushatës, mua personalisht, vetëm një herë më ka rastisur që një lider partiak ta dëgjojë duke folur për kulturën e leximit dhe për rëndësinë e librit”, tha i pari i organizatës ETEA.
Sipas raportit hulumtues të kësaj organizate për lexueshmërinë në shkollat e mesme të ulëta publike të komunës së Prishtinës, të publikuar në muajin maj, lexueshmëria nuk është e kënaqshme. Nga 997 nxënës të anketuar, vetëm 40,2% prej tyre kanë arritur t’i kujtojnë tri lektyrat e fundit brendakurrikulare të lexuara. Një përqindje prej 23,1% të nxënësve kanë arritur t’i kujtojnë dy librat e fundit brendakurrikular të lexuar. Ndërsa 18,7% e të anketuarve kanë qenë në gjendje të kujtojnë vetëm një libër. Ndërsa një përqindje shqetësuese e të pyeturve, me 18% të numrit total nuk ka arritur të kujtojë të paktën një lektyrë të fundit brendakurrikulare të lexuar. Raporti sjell në pah se rënia e lexueshmërisë si problem shfaqet gjatë kalimit nga mësimi klasor (fillor) në shkollën e mesme të ulët, diku në klasat 6 – 7, ndërsa pasojat e këtij problemi janë lehtësisht të matshme në klasat 8 e 9 dhe vazhdojnë të përkeqësohen me kalimin në nivelin e mesëm të lartë, siç është dëshmuar nga hulumtimi i mëhershëm i ETEA-s. Zëri