Gjithçka na kërcënon:
koha, që në fragmente jetuese ndan
atë që isha
prej atij që do jem,
si thika gjarpërin;
ndërgjegjja, tejdukshmënia e tejkalume,
shikimi i verbër prej të vetpamit që pa;
fjalët, doreza gri, hi mendor përmbi bar,
uji, lëkura;
emrat tanë, që ngrihen mes meje e teje,
mure boshllëku që asnji trumbetë nuk mundet me i rrënu.
As gjumi i populluem prej imazhesh të thyeme,
as deliri dhe shkuma e tij profetike,
as dashnia me dhambët e thonjtë e saj nuk na mjafton.
Përtej nesh,
në kufinjtë e qenies dhe të qenit,
nji jetë ma shumë jetë na kërkon.
Jashtë nata frymon, zgjanohet,
e mbushun me gjethe të mëdha e të nxehta,
pasqyrash që luftojnë:
frute, kthetra, sy, degë,
shpindë që shkëlqejnë,
kurme që hapin udhë mes kurmash të tjerë.
Shtriju këtu në bregun plot shkumë,
plot jetë që injorohet e dorëzohet:
edhe ti i përket natës.
Zgjanohu, bardhësi që frymon,
rreh, oh yll i shpërndamë,
gotë,
bukë që gjunjëzon banlancën në anën e aurorës,
pauzë gjaku ndërmjet kësaj kohe e tjetrës të pamatë.
Në shqip: Manjola Brahaj (Halili)
ObserverKult
——————————
Lexo edhe: