Pablo Neruda: Ndjej brishtësinë tënde

pablo neruda

Ndjej brishtësinë tënde t’i afrohet tokës sime,
të përgjojë shikimin e syve të mi, të ikë,
e shoh të ndalet, për të më ndjekur gjer në orën
e shqetësimit tim të heshtur, e ankthit tim për ty.
Ja butësia jote e syve të ëmbël që presin.
Ja goja jote, fjala e pashqiptuar kurrë.
Ndjej që ngjitet myshku i brengës tënde
dhe më rritet në shpirt hamendja pa kufi.

Kjo ishte braktisja dhe, ti e dije,
ishte lufta e errët e zemrës dhe gjithçkaje,
ishte ofshama përçmuese e anktheve mallëngjyese,
dhe dehja, dhe dëshira, të lërë veten të shkojë,
dhe ishte kjo jeta ime
ishte kjo që sillte ujin e syve të tu,
ishte kjo që qëndronte në gropat e duarve të tua.

Ah, flutura ime dhe zëri pëllumbit,
ah, kupë, ah përrua, ah shoqja ime!
Thirrja ime të erdhi, më thuaj, të vinte
netëve të gjata me yje të ftohtë
tani, në vjeshtë, në vallen e verdhë
të erërave të uritura dhe të gjetheve të rëna?

Më thuaj, të vinte
duke ulëritur ose duke ngashëryer,
në çastin e gjakut të fermentuar
kur toka rritet dhe vibron duke pulsuar
nën diellin që e konturon me kodet e tij të qelibarta?
Më thuaj, më ke dëgjuar të kacavirrem
deri në formën tënde për të gjitha
heshtjet,
për të gjitha fjalët?

Ndjeva të rritem. Kurrë s’e kam ditur vete.
Përtej teje. E kupton, motër?
Fruti largohet kur arrijnë duart e mia
dhe rrokullisen yjet para vështrimit tim.

Ndjej që jam gjilpëra e një shtize pa fund,
që depërton larg, kurrë s’do të të shpojë,
tren dhimbjesh lagështish në ikje drejt
së të përjetshmes
duke pikuar në çdo tokë dënese dhe pyetje.

Por ja, forma jote familjare, ajo që është imja,
jotja, ajo që është imja, ajo që ështe jotja dhe më përmbyt,
ja ajo që më mbush gjymtyrët e braktisjes,
ja brishtësia jote,
që spërdridhet në të njejtat rrënjë,
që piqet në të njëjtin vargan frutash,
dhe del nga shpirti yt i thyer nën gishtat e mi
si lëngu i verës nga zemra e rrushit.
Larg dhe e dhimbshme, si të ishe e vdekur.
Pra një fjalë, një buzëqeshje mjaftojnë.
Dhe unë jam i lumtur, i lumtur të mos jetë kështu.

Përktheu: Faslli Haliti