Pablo Neruda: Nëse ti më harron

Poezi nga Pablo Neruda

Dua të dish
diçka.
Ti e di se si është:
kur shoh
hënën e kristaltë, degën e kuqe
të vjeshtës së ngadaltë në dritaren time,
kur prek
pranë zjarrit
hirin e pakapshëm
apo lëvoren e rrudhur të drurit,
gjithçka tek ti më çon,
sikur çdo gjë që ekziston,
aromat, drita, metalet,
të qenkëshin varka të vogla duke lundruar
drejt ishujve të tu që presin mua.

Por ama,
nëse pak nga pak resht së më dashuri
do të resht së të dashuri pak nga pak.
Nëse papritur
më harron
mos më kërko më,
se atëherë do të të kem harruar.

Nëse të duket e zgjatur dhe e marrë
era e flamujve
që shkon në jetën time
dhe vendos
të më lësh në breg
të zemrës ku rrënjë kam zënë,
mendo
se atë ditë,
atë orë
do të ngre krahët
dhe rrënjët e mia do të dalin
tjetër tokë të kërkojnë.

Por
nëse çdo ditë,
çdo orë
ndien se je caktuar për mua
me ëmbëlsi mizore.
Nëse çdo ditë çel
një lule në buzët e tua për të më kërkuar,
oh e dashura ime, oh e imja,
tek unë gjithë zjarri përsëritet,
tek unë asgjë nuk shuhet e as harrohet,
dashuria ime ushqehet me dashurinë tënde,
e dashura ime,
dhe derisa të jetosh, në krahët e tu do të jetë,
pa u larguar prej krahëve të mi.

Në shqip: Erion Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

LËRMËNI TË QETË, MËSOHUNI ME MUNGESËN TIME…POEZI NGA PABLO NERUDA