Pal Ndrecaj: Takim me dyer të mbyllura

Pal Ndrecaj

Poezi nga Pal Ndrecaj

Sot jam takuar me të gjithë ata që janë ngritur mbi dhembjet e tyre,
si një mundësi me u ribâ me copat e thyera;
me ata që i kanë dëgjuar të tjerët të thonë se s’bën,
andaj s’kanë dashur ta çojnë mundin dam
dhe me ata që pasi e kanë peshuar mirë
sa mundet me u largu njeriu nga zemra e vet
e me u njohë prapë prej saj,
nuk kanë pasë besë me u largu edhe aq.

Ishte shumë interesant me pa kurajën
si humbka udhën
nëpër mjegulla arsyetimesh!
Si ia injektonin pak nga pak arsyen me mungu,
në fillim me: “hajt, se s’është aq e domosdoshme”,
pastaj mësohej e mungonte vetë.

Kam parë si shpërthejnë vullkanet e mllefit
koren e brishtë të sapovënë
të një pajtimi me gjysmëzemër –
pragnisje e sqotës.
Njerëz, më besoni, nuk po ju gënjej,
krejt këto së pari i kam parë në zemrën time,
por kur e kam ngritur kokën,
njëjtë ishte deri në fund të botës.

Tash, unë
ai që i priti në seancë të mbyllur të gjithë ata tipat tjerë të vetes,
(informata rrodhi dikah
përmes atyre vrimave në ndërgjegjje,
të cilat s’ka kush që i mbyll)
i marr të gjithë përdore
dhe provoj t’i pajtoj
se është e pashmangshme
të mos rrjedhim bashkë
lumit te thellë të paradokseve njerëzore.

ObserverKult


Lexo edhe:

PAL NDRECAJ: PËR GJËRAT QË SHKOJNË DAM