Pashko Vasa: S’ka më shpresë… e ndjejë se nuk do ta shoh kurrë më!…

pashko vasa shqypni

Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai përpos veprimtarisë patriotike njihet edhe shkrimtar i shquar.

Vasa botoi më 1890 romanin “Bardha e Temalit” të shkruar frëngjisht, ku përshkruan zakone e doke të jetës shqiptare në sfondin e luftës për çlirim kombëtar.

Një fragment nga ky roman mund ta lexoni në vazhdim:

Kur arriti në rrugicën që dilte në fushë, pa prej së largu nja dhjetë burra të mbështetur në murin e shtëpisë së fundit. S’do mend që ata ishin të armatosur gjer në dhëmbë dhe dukeshin se kishin zënë vend që të ruanin kur do të kalonte ai.

U habit, por nuk e humbi toruan.

-Do të shkojmë nga ana e pazarit, -u tha shokëve,- atje rrugët janë të shkreta dhe pa njeri.
Dhe kthyen rrugë.

Kuptohet vetvetiu se Aradi kishte marrë të gjitha masat e duhura për të mos u tërhequr vëmendjen kurrsesi njerëzve që kishin zënë vend atje për ta kapur, dhe ia kishte dalë në krye kësaj pune pa ndonjë vështirësi. Por sa u dëshpërua e sa keq mbeti, kur, me të arritur pranë pazarit, vuri re se hyrja ishte zënë nga një skuadër rojash.

Zemra i rrahu më fort dhe u drodh… Një mijë mendime të trishtueshme i kaluan në mendje. A thua do të ishte e pamundur të dilte nga qyteti? Mos do t’i duhej vallë të hiqte dorë nga mendimi që ta shihte Bardhën përsëri?…

Jo! I mbetej më në fund edhe një shtegdalje: të dilte në fushë nëpër lagjen e myslimanëve. Dhe kështu vendosi të bënte.

Por edhe atje ishin zënë shtigjet dhe ruheshin nga një numër i madh burrash të armatosur. Kur e pa ashtu, mend i ra pika.

Për një çast mendoi të kalonte, pa le të dilte ku të dilte, të bënte një të çarë përmes tyre, si i thonë ushtarakisht. Mirëpo, duke ndërmarrë këtë hap të dëshpëruar, jo vetëm që vinte në rrezik je tën e shokëve dhe jetën e tij, por rrezikohej edhe që të kapej, gjë që ishte e turpshme, poshtëruese dhe plot pasoja të rënda dhe për t’ua pasur frikën.

-Përpara kësaj pengese nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kthehemi në shtëpinë time, tha Gjon Markita me zë të ulët. -Është e shkruar që Aradi Viashajve të jetë mysafiri im… Nesër do të shohim a do të kemi më shumë fat nga ç’patëm sot.

Aradi ishte i dërrmuar. Nuk tha asnjë fjalë dhe, padashur, ndoqi shokët, që kishin pranuar propozimin e Gjon Markitës.

Me t’u kthyer në shtëpinë mikpritëse, Aradi vajti drejt e në dhomën që i kishin përgatitur dhe u lëshua mbi një divan, zemërvrarë e i mërzitur.

-E pat kjo punë! i tha Anulit duke qarë.

-E pat! Nuk do ta shoh më. Qielli është kundër meje. Dhe kur mendoj se arrita të vras një njeri që të mund ta shihja edhe një herë! Kjo është e tmerrshme!…

– Mos u dëshpëro, iu përgjigj Anuli, që vuante nga vuajtjet e shokut të tij. Do të jemi më me fat nesër. Rojat nuk do të qëndrojnë gjithnjë atje për të na kapur.

-S’ka më shpresë, s’ka më lumturi për mua! E ndiej se nuk do ta shoh kurrë më!…

Dhe derdhte lot dëshpërimi, lot që zhuritin zemrën e njeriut ashtu si i zhurit lava e vullkanit tokat nëpër të cilat kalon.

-Kurajë, o mik, kurajë! vazhdoi t’i jep te zemër Anuli. -Në fund të fundit, kjo është vetëm një pengesë, që do ta kalojmë patjetër, dëgjomë mua ti!

Ah!… jo, Anul, jo. Do ta pësoj. Kam parandjenja të hidhura.

-Të gjitha këto janë marrëzira! Me durim kalohen që të gjitha vështirësitë.

-Po dorën e Zotit që godit, atë s’e ndal dot asgjë. Anuli nuk diti o’t’i përgjigjej: ull kokën, duke respektuar dhembjen e shokut të vet.

Kur e pa disi më të qetë, i tha:

– Dëgjo: unë duhet të hidhem gjer në shtë pinë tënde që të lajmëroj tët ëm dhe, nga ana tjetër, të marr vesh se ç’flitet në qytet. Do të kthehem sonte dhe pastaj shohim e bëjmë sipas lajmeve

– Mirë, iu përgjigj Aradi, pa e kuptuar fare se ç’po i thoshte shoku i vet, sepse kaq the ishte kredhur në humnerën e dhembjes së tij, saqë ishte i pavetëdijshëm për gjithçka flitej ose bene rreth e përqark. Anuli i shtrëngoi dorën dhe doli. Udhës takoi shumë tregtarë të vegjël që venin në punët e tyre dhe që bisedonin për dyluftimin e Aradit dhe për gjendjen e rëndë të të plagosurit.

Por, pa ua vënë veshin fare komenteve që po bënin ata, aj vazhdoi udhën pa pyetur njeri dhe shkoi me vrap në shtëpi të vet për të parë të shoqen, nga e cila ishte larguar të djeshmen, pa i thënë asgjë.

E gjeti të përlotur, të pikëlluar dhe shumë të mërzitur; ai bëri çmos që ta ngushëllonte, gjë që nuk qe e vështirë. Disa fjalë të ëmbla plot dashuri dhe një e puthur ia kthyen shumë shpejt buzëqeshjen gruas së re, që iu çel e i ndriti fytyra sakaq: përkëdheljet e të shoqit qenë për të si rrezet e diellit për lulen.

-Ti e di, e dashura ime, i tha Anuli, kur e pa më të qetë, ti e di se Aradi ka pasur një dyluftim; duhet, pra, të shkoj që t’i ndodhem pranë, sepse mund të ketë nevojë për mua. Mos u shqetëso për mungesën time; po të premtoj se do të kthehem sa më parë që të më jetë e mundur.

-Gruaja e re uli kokën përpara vullnetit të të shoqit dhe nuk tha asnjë fjalë. Vetëm se tinez një pikë loti që i dridhej mu si një pikë vese mbi qerpikë.

*Shkëputur nga romani “Bardha e Temalit”, botuar nga Rilindja më 1989

pashko vasa shqypni

Pashko Vasa lindi në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë në dorë në revolucionin e Venedikut kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje,

Vasa u vendos në Stamboll. Në Turqi Pashko Vasa u ngrit në shkallën e lartë të hiearkisë shtetërore. Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit.

Gjatë gjithë jetës së tij Pashko Vasa s’ka rreshtur së menduari për Shqipërinë dhe ka dëshiruar ta shohë të lirë, të pavarur, e të kulturuar. Veprimtaria e tij politike fillon në vitet `60 në Stamboll, ku bashkëpunoi me K.Kristoforidhin, Ismail Qemalin, Hoxha Tahsinin.

Mori pjesë në përpjekjet për organizimin e shoqërive patriotike e kulturore, për krijimin e një alfabeti të shqipes dhe bashkë me Samiun ishte ndër themeluesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.

Vasa qe një nga frymëzuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe mbrojti me forcë çështjen kombëtare në Stamboll dhe në qarqet diplomatike jashtë perandorisë.

Veprimtarinë letrare Pashko Vasa e zhvilloi kryesisht në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të tij si komb.

“A mos është krim ta duash vendin tënd? – shkruante ai. – Ajo që është një cilësi, një virtyt për të tjerët, nuk mund të jetë tjetër gjë për ne„.

Shkroi poezi, prozë artistike, publicistikë dhe libra gjuhe.

E përgatiti: V. K.- ObserverKult


Lexo edhe:

ÇOHU BABA DHE EJA PRAPË…