Për injorantët që shohin Big Brother e duan ndalimin e filmave shqiptarë: Sandër Prosin, Kadri Roshin, Timo Fllokon me kë t’i zëvendësojmë?

Kadri Roshi

Nga Ilir Metaj

Një lajm i bukur hyri në kronikat e javës së shkuar: filmi “Lulëkuqet mbi mure” është restauruar. Nuk munguan ata që i bënë jehonë dhe mirëseardhje këtij lajmi. Por nuk munguan as ata, që u përpoqën ta tulatin nëpër filtrat e bllokuar të propagandës. Në këto filtra gjithçka ngec, e drejtë apo jo.

Propaganda gjithmonë pjell propagandë, veçse me kah të kundërt. Ama mbetet propagandë, përsa kohë nuk ka meknizma që bëjnë seleksionim të ndjeshmerisë thellësisht-personale, nga ajo publike.

Sigurisht, jo gjithmonë personalja përputhet me publiken dhe jo gjithmonë qëndron përmbi të. Sidomos, kur bëhet fjalë për nostalgjinë, e cila ka avantazhin të jetë korrektuar përmes filtrit të kohës. Jo çdo gjë arrin të pershkrojë deri në fund këtë filtër e të dalë përtej, herë i zvogëluar e herë i zmadhuar, por gjithmonë më i vërtetë. E kur nostalgjia ka kapërcyer filtrin e kohës publike, aq më i vërtetë është mesazhi që percjell e aq më shumë triumfon mbi personalen.

Nostalgjia e një populli, mbart në breza vlerat më të mira dhe nuk i lë të humbasin, bashkë me brezin që i krijoi. Ajo e zhvesh vlerën nga mbulesat e pavlera, këtu hyn edhe propaganda, politike ose jo. “Lulëkuqet mbi mure” është pjesë e kësaj nostalgjie. Nuk më ka ndodhur ta përmend me dikë këtë film dhe biseda menjeherë të mos ketë marrë një hov: “Eh i madhi Dhimitër Anagnosti, Kadri Roshi i madh, eh të mëdhenjtë Timo Flloko e Agim Qirjaqi…” e nuk numërohet sa herë permendet fjala ‘i madh’ në këtë diskutim.

E pra, dikush do të na fshijë këtë film, dikush nuk është dakort ta shohim e rishohim për qejfin tonë. Dikush do të na lerë pa atë figurë mësuesi-vigan që reciton Nolin (e që dekurajon këdo të guxojë ta recitojë pas tij), që reciton Migjenin e Naimin (e kush nuk e mban mend prej tij).

E një Zot e di sa na duhen sot të tillë mësues! Në fakt, një debat më i gjerë është tentuar të mbahet gjallë: a duhet të ndalohen filmat e periudhës së diktaturës?

Po mirë, jemi që jemi, pse vetëm filmat? Pse të shpëtojmë vetëm nga ‘vrasësit serialë’ Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Vladimir Prifti, Muharrem Fejzo, apo Sandër Prosi, Kadri Roshi, Timo Flloko, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, etj?

Pse jo edhe këngët? Me këtë rast shpëtojmë nga Vaçe Zela, Luan Zhegu, Mentor Xhemali, Parashqevi Simaku, Gaqo Cako… 

Po pse jo edhe librat? T’i zhdukim Ismailin, Dritëroin, Kutelin, Arapin… Shpëtojmë një herë e mirë nga këta që mbollën krimin e korrupsionin!  Po pse jo edhe veprat e artit pamor? T’i copëtojmë monumentet, t’í shkrumbojmë pikturat! Do shpëtojmë më në fund nga e keqja që na mban për rrënje. Po mirë, a dini të më jepni ca emra t’i zëvendësojmë këta që u bera apel më sipër? Nëse rrimë vetëm te kinematografia, a mund të më gjeni pas viteve ‘90 regjisorë të staturës së Anagnostit, aktorë të dimensionit të Kadri Roshit?

A keni guxim edhe për këtë, siç keni guxim kur doni t’i fshini nga faqja e dheut?  E di, po kërkoni nëpër arkivat e Big Brother-it të gjeni ndonjë. Me batutë filmi të asaj kohe përgjigja do ishte “Gërmo Tare gërmo…” Se Anagnosti është Fellini shqiptar, Roshi është De Niro shqiptar, Flloko është Moisiu i gjallë. E kush mund t’u dalë ballë kollaj? Gjigandët, çdo epokë i numëron me gishtat e dorës. Ata nuk kultivohen nëpër studio televizionesh. Ata burojnë nga thellesitë e majave më të larta.

Filmat e krijuar në kohën e diktaturës që përshkruajnë rezistencën antifashiste, përveç vlerave të padiskutueshme artistike, janë në fakt një udhëzues i posaçëm, në kuptimin historik dhe ideologjik të asaj kohe të vështirë, të dhimbshme, por të luftuar nga populli shqiptar. “Lulëkuqet mbi mure” është një dritare e hapur për të kuptuar kohën nga vijme, per te kuptuar cmimin e paguar dhe per te mësuar.

“Roma citta aperta”, një film i vitit 1945, regjia Roberto Rosellini, skenar Rosellini dhe Federico Fellini, në rol kryesor Ana Magnani, është një nga majat e kinematografisë italiane, por edhe asaj botërore. Dhe tregon pikërisht rezistencën antifashiste italiane. “Lulëkuqet mbi mure”, është i ngjashëm me të. Në temë, po pse jo edhe për vlerat artistike të tij.

Italianëve as u ka shkuar ndonjëherë në mend të turpërohen nga ky film, apo ta hedhin poshtë si “mbartës të vlerave komuniste”, qoftë edhe në kontekstin antifashist.

Historia ka qenë një shtrigë e keqe për kombin tonë. Prandaj, edhe brezave që vijnë u duhet patjetër të dinë, por mbi të gjitha, të kuptojne  PSE-në e tragjedisë së këtij populli të semurë për një kohë të gjatë me tumorin e komunizmit.

Vetëm duke ditur dhe kuptuar, brezat e rinj do të jenë në gjendje të krijojnë reflekse reaktive kundër diktaturave, fashiste, komuniste apo cfardo trajte të re e të kamufluar të marrin ato. Vetëm kështu brezat e rinj do të dinë të dallojnë poshtë trukut të rradhës gongallat e plakura por të paatrofizuara ende të diktatorit që rri gati ne pritë.

Ronald Regan ka thënë:

“Si e dalloni nëse dikush është komunist? 
Një komunist lexon Marksin dhe Engelsin.
Si e dalloni nëse dikush është antikomunist?
Një antikomunist e kupton Marksin dhe Engelsin.”

Duhet pra TË DISH dhe TË KUPTOSH, në mënyrë që historia të fillojë të jetë një nënë e mirë për këtë komb. Historia u përket kombeve të ditur dhe të zgjuar. Ndaj, mirëseardhje për “Lulëkuqet mbi mure”, me të freskëta se kurrë më parë. Është pjesë e memorjes sonë kombetare që rri aty, jo thjesht për nostalgji të rinisë së një brezi, por për Nostalgjinë që shërben si mësues historik i një populli që DI dhe KUPTON.

ObserverKult


Lexo edhe:

“REVOLTA” E AKTORIT TË NJOHUR: SI U KATANDISËM KËSHTU, SOT BËN FILMA ERMALI, LUIZI DHE NOIZY