Preç Zogaj: S’më rrihet pa të parë…

Poezi nga Preç Zogaj

Këtu ku jam s’më rrihet pa të parë,
atje ku je s’vij dot se më sheh ti.
Dhe sosen netët, sosen sa ngadalë.
Dhe fluturojnë mëngjeset si veri.

Më dhe dikur shpirt e shpirt të dhashë,
dhe qysh atëherë s’po ngryset ajo ditë,
padita dhe padite, the dhe thashë,
fitova sytë e tu, humba të mitë.

Dhe duart më braktisën. “S’jemi të tuat”!
“Asaj i përkasim!” thirrën duart.
“Asaj i bindemi!” thirrën mendtë.
Mbeta kalli, krejt i yti, krejt.

Ne bëmë dhe braktisëm një çudi.
Tani në fusha bares zemërvrarë.
Atje ku je s’vij dot se më sheh ti,
këtu ku jam s’më rrihet pa të parë.

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

“NJË E TRETË DASHURIA”, PREÇ ZOGAJ VJEN ME NJË LIBËR, PËRMES VARGJESH NA KUJTON ATA QË NA MUNGOJNË

Poeti Preç Zogaj ka promovuar librin e tij të fundit me poezi, “Një e tretë dashuria” ku përmes vargjeve, rrëfen muzat dhe kujton ata që na mungojnë.

Preç Zogaj tha se “një veçori që ka poezia është se autori se duhet të mbetet vetvetja pa e përsëritur veten. Për librin ‘Kalimi’, Ndoc Gjetja më thoshte se nuk mund të shkruash një libër më të mirë se ky”.

Për poeten Natasho Lako, libri i fundit i Zogajt është festë e Gjuhës.

“Është si ai trëndafili që hapet. Hapet vetë fjala dhe zë një vend të çuditshëm që nuk e ke në asnjë poet tjetër. Është një marrëdhënie që e riuzbulon vetëm Preçi dhe kjo është një nga gjërat më të bukura që tregon pjekuri të madhe artistike”.

Poeti laureat dhe drejtoresha e qendrës së Librit, ofruan dy këndvështrime të tjera, që rrokin sa të shkuarën po aq edhe nevojën, duke nisur nga titulli…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU