Primo Shllaku: Nata e saj

lule në dëborë, poezi nga primo shllaku
Primo Shllaku

Ti shkove me fjetë
e ndezë e harrove hanën
mbi kryet e qiellit tand.
Në akullnajat e çarçafëve të tu
trupi yt si diell prendues u shtri,
pa zhurmë, pa dritë, pa vdekje.
Dhe unë që çuet nën hanën time rri,
ndiej erën e mrinave që vjen
nga zajet e pafundme të fmijënisë,
ndiej erën e endjes së rrushit
që me hyllza të gjelbra e mbush kalldremin,
ndiej heshtjen e hyllit që dikujt i flet
me gjuhën e hollë të dritës,
i ndiej të gjitha
me dashje, shpesh me dashje
se rruga ime sot drejt gabimit
më çon me ma pak dredha.
Âsht nata jote mandej
ku unë s’mbrrita me mbjellë
farën e thartë të dritës,
as urthin gjakpimës të devocionit.
Dhe unë jam ktu
me mendimin foshnjor për ty.
Jam prap ktu
edhe atëherë kur natën tande
di ta dalloj prej natës së ditës.
Ktu sa herë që kamba jote e bardhë
shkel mermerin e rremë
të trotuareve të trishtimit.
Dhe ndërsa ngjitesh në majë të flokëve të erës
më kujton dallndyshet që ulët fluturojnë në rrugicë
dhe baltën e çerdhes e njomin
me ujin e verdhë të gjurmës
që të pabarabartë e len
gjithkund mbi ballin tonë
çdo gjâ që shkon e s’kthehet,
çdo gjâ që kthehet pa shkue kurr,
çdo gjâ që as shkon, as kthehet.

ObserverKult