Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti dhe kritiku Ahmet Selmani.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Mendoj se është vetëm një utopi e bukur ose një mit ngushëllues për njeriun. Sado që të përpiqesh për ta arritur atë, në fund prapë do të mbetesh i zhgënjyer. Sipas filozofit Karl Pop, jeta është zgjidhje problemesh. As teoria biologjike nuk e njeh konceptin e lumturisë te njeriu, por vetëm atë të trashëgimisë. Pra njeriu nuk lind për të qenë i lumtur, por për të lënë pasardhës. Me këtë dua të them se kërkimi i lumturisë së përkryer mund të kthehet si një bumerang dhe të bëhet vuajtje fatale në jetë. Bie fjala, nëse s’ke para, ato ndoshta mund t’i fitosh një ditë, të bëhesh i pasur, por vjen një çast kur nuk të mjafton as kjo, sepse jeta megjithatë është e shkurtër. Dhe atëherë të kap një dëshpërim i pakontrolluar. Për çfarë lumturie të përkryer mund të flasim kur e dimë se një ditë do të vdesim? Këtu përfundon gjithçka rreth idesë për lumturi të përkryer. Unë jam ithtar vetëm i lumturisë reale, asaj që ta sjell dashuria, puna e përditshme, suksesi, mirëqenia.
Cila është frika juaj më e madhe?
Zakonisht frikën përpiqem ta zëvendësoj me kujdesin nga rreziqet e shumta që ekzistojnë. Por është një frikë që më trondit së tepërmi; kur i shoh ca prindër fatkëqinj duke i varrosur fëmijët me duart e tyre. Atëherë rrëqethem gjer në palcë dhe lutem i tmerruar duke e përfytyruar vetveten në një gjendje të tillë. Para kësaj frike mbetem i ngrirë.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Atë që e bën punën e vet pa u krekosur, duke e dhënë maksimumin në profesionin e tij. Pra një prototip të njeriut njëdimensional, sipas Markuzes.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Ndoshta duket shumë shpërfillëse, por nuk dua të identifikohem me asnjë personalitet. Së pari koncepti historik është shumë mitik, i mjegullt dhe nuk më ofron vërtetësi të plotë për cilindo. Ndaj edhe s’kam ndonjë adhurim të veçantë për personalitetet e ndryshme historike. Fundja, edhe ata kanë qenë krijesa njerëzore me të mirat dhe këqijat e tyre. Së dyti, unë gjithë jetën përpiqem ta ndërtoj personalitetin tim, prandaj paksa do të ishte paradoksale të identifikohem me ndonjë tjetër. Në fakt, do të tregoja prirje të verbër epigonike e depersonalizuese.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Nuk e pëlqej respektimin e tepërt ndaj kundërshtarëve, sepse shumica e tyre janë agresivë e të paskrupull. Por edhe paaftësia për t’i fshehur disa nga gabimet e mia, të cilat pastaj i keqpërdorin të tjerët për qëllimet e tyre të ulëta.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Shpifja, dyfytyrësia, mosmirënjohja, urrejtja.
Në cilat gjëra e teproni?
Në modesti, kur nganjëherë e shkel vetveten për të mos u keqkuptuar nga të tjerët dhe në solidaritet, kur nuk e kursej veten për t’i mbështetur disa njerëz të cilët nuk meritojnë.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Gjithsesi, ndonjë qëllim shumë i lartë njerëzor e kombëtar. Por pa e dëmtuar asnjërin.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Parapëlqej të udhëtoj me disa nga njerëzit që i dua dhe që më duan. Thjesht më joshin të gjitha udhëtimet e mundshme, sidomos ato që më sjellin befasi dhe risi të shumta, qoftë duke zbuluar vise të panjohura, qoftë duke takuar njerëz që u përkasin kulturave të ndryshme.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Të them të drejtën, nuk e di. Ndoshta shprehjen “Ke parasysh” ose “Mos më torturo”.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Ndihma dhe flijesa e pakursyer për disa njerëz, sepse janë treguar shumë të pacipë dhe intrigantë të pakundshok. Në vend se të jenë mirënjohës për atë që kam bërë në interes të tyre, ata gjithë kohën kanë ndërtuar një imazh të pavërtetë për mua. Madje kanë vajtur aq larg, sa zemërgjerësinë time e kanë konsideruar si naivitet ose çmenduri.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
E kush mund të jetë tjetër, përveç ajo ndaj fëmijëve dhe gruas?
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Relativisht solide; kam një mbamendje të qëndrueshme, jam i aftë të mendoj në mënyrë të arsyeshme etj.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Ndoshta asgjë.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
As që hamendem këtu: tre fëmijët e mi dhe veprat letrare që kam krijuar.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk do t’i kisha lexuar disa nga librat që i kam lexuar dikur si entuziast, sepse konsideroj se ka qenë një humbje kohe.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Kryekëput ky që jam tani, vetëm me ca ndryshime të vogla për sa u përket marrëdhënieve me njerëzit.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Karakteri, imagjinata, intuita, arsyeja, energjia.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Paditurinë. Është e llahtarshme kjo gjë. Nuk ia dëshiroj askujt.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Ndoshta në Prishtinë ose në Tiranë.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Vetëbesimi për gjërat që i bëj me dashuri dhe përsosmëri. Por edhe gjakftohtësia para fjalëve të lajkatarëve. Madje edhe kur arrij ndonjë fitore, prapë nuk ngazëllehem fare, vazhdoj të sillem sikur s’ka ndodhur asgjë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Besnikërinë, urtësinë dhe maturinë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Inteligjencën, butësinë dhe bukurinë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Pa dyshim, J. L. Borgesi. Ai e shkundi gjithë ndërgjegjen krijuese të planetit tonë. Kam bindjen se u shndërrua në epokë letrare më vete. Jo më kot D. Kish thotë se ka dy lloje të letërsisë; ajo para Borgesit dhe ajo pas Borgesit.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që i ndihmojnë me zell të varfërit, që u falin dashuri bonjakëve dhe ata që i prekin me duar të sëmurët.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Këtë që e kam tani, përkatësisht letërsinë. Do t’ia shtoja vetëm edhe talentin për muzikë që nuk e kam.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Me libër në dorë. Pra duke lexuar.
Cila është motoja juaj?
Kur të bësh një punë, ose bëje me dashuri të skajshme, ose mos e bëj fare!/Gazeta Observer