Pyetësori i Prustit: Bajram Karabolli

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet përkthyesi Bajram Karabolli.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nëse, çuditërisht dhe befasisht, do të rinohesha dhjetë vjet.

Cila është frika juaj më e madhe?

Përgjigje: Një trimëri e kotë, idiote.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Vëllain tim L. K., për ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj familjes së tij.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Gandin ose Ibrahim Rugovën. Udhëheqësit më paqësorë, më njerëzorë, në historinë e përpjekjeve çlirimtare.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Përgjigje: Rrëmbimi apo humbja e gjakftohtësisë në debat.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mburrja.

Në cilat gjëra e teproni?
Në heshtje.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
E mira për të tjerët.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Një udhëtim në një vend ekzotik si India.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Fjalën “Mirë” dhe shprehjen “A më kupton?”

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Për një reagim të nxituar që kam bërë ndaj dikujt në Buenos Aires.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Gjyshja ime, e ëma e babait, e cila më ka rritur dhe më ka frymëzuar dashuri dhe mirësi ndaj të tjerëve.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Dhimbja për vëllain e ikur para dhjetë ditësh.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Vullnetin për të shkruar (për të krijuar letërsi).

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Futja në përkthimin e letërsisë artistike.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Drejtimin e përkushtimit të jetës.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Si njeri do të doja të isha më i qetë, si send do të doja të isha hija e freskët e një vidhi në pranë një burimi.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Liria e mendimit.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Servilizmin dhe injorancën.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Pranë njerëzve të dashur.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Të hesht, kur nuk kam çfarë të them.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Guximin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Dritën e syve.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Huan Rulfo.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit e ndershëm dhe ata që nuk dorëzohen para së keqes, sado e madhe qoftë ajo.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të shkrimtarit.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke punuar, domethënë, duke përkthyer një vepër artistike.

Cila është motoja juaj?
Të jem sa më njerëzor./Gazeta Observer