Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Bashkim Hoxha.
-Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer besoj se është një shpikje romancash. Jeta është plot kontraste. Herë sjell trishtime dhe herë gëzime. Ndonjëherë mërzitje edhe pa shkak. Më e shumta që mund të bëjë njeriu është harmonizimi i tërë këtyre kontrasteve që sjell jeta. Nuk di nëse mund të përdorim në këtë rast termin lumturi.
-Cila është frika juaj më e madhe?
Të harrohem pasi të kem ikur. E di që do të ngjasë, ndaj, po u kujtua dikush dikur, shpresoj ta tres pak harresën përmes librave në bibliotekë, ku kam klonuar veten.
-Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Dikur, në rininë e hershme, kisha disa shembuj adhurimi. Me kalimin e moshës e kuptova se adhurimi është një pengesë për të parë jetën në tërë dimensionin e saj. Aktualisht nuk adhuroj asnjë person të gjallë. E vetmja që mund të adhuroja për sakrificën e saj do të mund të ishte nëna ime, por ajo tashmë ka ikur dhe adhurimi i saj ka mbetur një kujtim.
-Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me piratin ulqinak Maman Ali, që mbante rob Servantesin. E kam zili se sa histori të bukura dhe sa gjëra të mençura do ketë dëgjuar prej tij. Më duket vetja njësoj si ai, kur prangos në libra dhë drama historitë e të tjerëve.
-Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Sinqeriteti me të pasinqertët.
-Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizia.
-Në cilat gjëra e teproni?
Me të qëndruarin ulur për një kohët të gjatë pa pushim.
-Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Për të lehtësuar ndonjë rrethanë rreptësie kur qortojnë nipin tim të vogël, do të sajoja çdo lloj gënjeshtre pa hezitim.
–Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Durrës- Prizren, Durrës-Shën Naum.
-Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Punë e madhe. Let it be.
-Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Për miqësinë e dhënë pa kthim.
-Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja ime.
-Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Besoj se tani që arrita 70 vjeç, akoma pleqëria nuk më ka kapur me rrjedhje.
-Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do të doja të bëja një jetë më të rregullt me oraret. Prej 27 vitesh në një emision të drejtpërdrejtë televiziv, çdo mëngjes në ora 7.00. Jam bërë i fiksuar për oraret. Duke pritur të vijë ora fikse, e jetoj me ankth korrektesën. E ëndërroj çlirimin prej saj.
-Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Realizimin e vetvetes, me një familje të mrekullueshme dhe me krijimtari të sinqertë. Ndihem fitimtar që munda ta përballoj çdo rrethanë të jetës pa tradhtuar vetveten.
-Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë nuk do të mund të ndryshoja. Jeta është një film që jetohet pa skenar, drejt e në sheshin e xhirimit. Nuk të pyet kush për rrethanat, në të cilat duhet të improvizosh qëndrimet dhe sjelljen.
-Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Një pemë? Nuk do ishte keq. Një pemë nga ato që tregojnë ndërrimin e stinëve.
-Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Nëse bëhet fjalë për sende me vlerë, nuk kam të tilla. Më e shtrenjta është një stilograf i larë në ar që ma dhuruan për 70-vjetorin. Në një kuptim figurativ, gjëja më e shtrenjtë që posedoj është përvoja e jetës.
–Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerimin intelektual dhe shpirtëror. Ka njerëz që nuk shijojnë dot një poezi.
-Ku do të dëshironit të jetonit?
Këtu ku jetoj aktualisht, në Durrës, buzë detit.
-Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Të qenit i drejtpërdrejtë me të tjerët. Edhe pse kjo sjellje nuk është pa pasoja.
-Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Përkushtimin për t’u përballur me jetën në çdo aspekt.
-Çfarë vlerësoni tek një grua?
Feminitetitin. Delikatesën e ndjenjës.
-Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Ka shumë. Shekspiri është mbreti.
-Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Asnjë nga heronjtë zyrtarë nuk më ka entuziazmuar. Përkundrazi. Më janë dukur groteskë dhe artificialë. Jo rrallë shumë prej tyre më duken diçka argëtonjëse, për të qeshur.
-Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Në gjimnaz kam dashur të jem skulptor. Kam punuar edhe në studion e skulptorit të madh Sabri Tuçi. Por nuk kisha talent dhe fatmirësisht u tërhoqa në kohën e duhur. Një artist pa talent është i dëmshëm, do i duhet të përpiqet të çajë në art me mjete të tjera.
-Si do të dëshironit të vdisnit?
Në gjumë pa e marrë vesh.
-Cila është motoja juaj?
Jeta vdes në çdo çast që ikën. Jetoje!
ObserverKult
Lexo edhe:
Rielna Paja: Them atë që mendoj edhe me koston se do të humbas njerëz
Pyetësori i Prustit: Adem Gashi/ Lufta është shpikja më e poshtër e njerëzimit
Pyetësori i Prustit/ Zija Vukaj: Puna pa nda, ndërton kala
Pyetësori i Prustit/ Begzad Baliu: Mungesa e urrejtjes ma ka zhvilluar refuzimin si kategori…
Pyetësori i Prustit/ Agim Vinca: Lumturia është e pakapshme si ylberi