Pyetësori i Prustit: Sueton Zhugri

sueton zhugri nesër e vogla ime

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Sueton Zhugri.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Nuk besoj në ekzistencën e lumturisë së përkryer.  Është si të pyesësh beson apo jo në parajsën. Të ndjerit mirë, ose i kënaqur dhe i lumtur është një koncept krejt i ndryshëm. Lumturia vjen rrallë në shteg, zakonisht pas sfidash të vështira, ndjesore(dashurore), ekonomike, sociale, etj. Dhe soji njerëzor e tejkalon shpejt atë çastin euforik që sjell lumturia, ai kërkon sërish sfida të reja, horizonte të pashkelura, dhe kjo është një nga arsyet që njerëzimi bën përpara. Është kjo pangopje që shndërroi majmunin në njeri, dhe krijimin e vetëdijes njerëzore. Është një këngë e kënduar nga Franko Kalifano me titull: (pas kësaj, lumturisë) gjithçka vjen më pas është mërzia, (tutto il resto e noia) ku tregohet në mënyrë ironike e komike ideja e kësaj lumturie të papërkryer e tejet të shkurtër.

Cila është frika juaj më e madhe?
Izolimi, të mbeturit vetëm, braktisja.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Pyetje e vështirë. Ka shumë krijesa. Ndoshta në vënd të parë do të vija tim atë. Këmbënguljen e tij.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Jul Çezari. Ai ndau ujrat e mesdheut. Për mirë a për keq hodhi zaret në Rubikonin e Botës.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Të lënit e gjërave për më vonë, ose për minutat e fundit. Prokrastinimi.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Mendjemadhësia dhe patetizmi.

Në cilat gjëra e teproni?
-Nganjëherë puth më shumë se ç’duhet, dhe po nganjëherë dashuroj më shumë se ç’duhet.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Shumë gjëra, por mbi të gjitha evitimi(shmangia) e dhimbjes.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Kur më presin fëmijët e mi, rruga ndarëse. Por më pëlqen edhe Spanja. E kam vizituar shpesh.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Mirë, mirë…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Pas kaq vitesh emigrim, largimi nga Atdheu, edhe pse ka qenë një vendim më se i detyruar. Nganjëherë e ndjej veten të huaj kudo që ndodhem.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Dashuria që solli në jetë fëmijët e mi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Është një gjendje qetësie, lehtësimi dhe rehatie, por nuk dua ta fsheh, nganjëherë më lodh klima nordike dhe vetmia e imponuar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Insistimi.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Familjen, shtëpinë, dhe një jetë relativisht të rehatshme.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Shumë gjëra, por mbi të gjitha do të shtoja tek vetja dozën e optimizmit.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Në Greqinë e lashtë një ndër komedianët.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Zemra.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Të jetuarit për të bërë para dhe të harruarit e shijimit të jetës.

Ku do të dëshironit të jetonit?
-Atje ku mund të isha me më shumë propabilitet i lumtur.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Burrërinë, vëllazërimin, mbajtjen e fjalës, thjeshtësinë, kuriozitetin, zgjuarsinë, respektin e ndërsjelltë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Zgjuarsinë, bukurinë, ndershmërinë, sensin e humorit, sensualitetin, dëshirën për jetën, optimizmin, të qeshurën e shfrenuar, gërrhitjen e ëmbël etj.etj.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Gabriel Garcia Marquez

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Janë njerëzit e thjeshtë plot halle që kënaqësinë e marrin nga gjërat e thjeshta të përditshme, që shkëmbejnë buzëqeshje, ndjenja, ëndërrime dhe bëjnë përpara edhe kur jeta duket e pashpresë dhe e papërballeshme.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Aftësinë e shijimit të jetës pa u ndikuar tërësisht nga andrrallat e pafundme me të cilat përditshmërisht të përplas e tashmja.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Nuk dua ta mendoj ende, por së paku pa vuajtje.

Cila është motoja juaj?
-Live and let live, ose në shqip: jeto dhe lejo (ose ndihmo) edhe të tjerët të jetojnë./Gazeta Observer