Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet gazetarja, Xhemazije Rizvani:
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Një vend ku të gjithë dëgjojnë muzikë, shkojnë në teatër, shohin filma, lexojnë libra, fëmijët lindin nga dashuria.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Harresa.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Secilin person që ka mbetur “i gjallë” dhe mbi të gjitha NJERI.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Helenën e Trojës.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Që bëj gjëra që “duhet” dhe jo që “dua”
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Kureshtjen dhe ankimin.
Në cilat gjëra e teproni?
-Ha shumë mish. Pi shumë kafe. Punoj shumë.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Një situatë kur tjetrit nuk i bën dëm gënjeshtra.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Rruga nëpër të gjitha stacionet kryesore të jetës.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Domethënë.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Që nuk kam shëtitur shumë.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Dashuria e përpjestuar në dy burrat e shtëpisë.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Nën stres dhe ankth se a do arrij t’i kryej të gjitha detyrimet prozaike të ditës.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Të mos jap më shumë sesa më kërkohet.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Personin që jam.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Ndoshta vendin ku jetoj. Po del gjithçka, nëse do të ndryshoja vendin ku jetoj. Më mirë asgjë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Do kisha dashur të kthehesha si një neurokirurge që shlyen traumat nga truri i njerëzve.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Lumturia. Dashuria që më rrethon.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Paditurinë.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Paris.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Empatia.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
-Dinjitetin.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
-Zgjuarsinë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Dino Bucati.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Njerëzit e veçantë që takoj dhe më inspirojnë të jem nga ata njerëz që mbahen mend.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Të këndoj.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Në gjumë.
Cila është motoja juaj?
-Kujdes çka dëshiron se mund të të plotësohet.
ObserverKult
Lexo edhe:
PYETËSORI I PRUSTIT/BESIM REXHAJ: MOSMIRËNJOHJEN NUK MUND TA GËLLTIS!