Pyetësori i Prustit: Xhevat Syla

Kësaj jave Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Xhevat Syla, poet e studiues i letërsisë.


Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

  • Nuk di të ekzistojë lumturia e përkryer. Di vetëm se ka çaste lumturie në jetë, të cilat janë as të shepshta, as jetëgjata, por që ngelin të pashlyeshme në kujtesën e njeriut.

Cila është frika juaj më e madhe?

  • Çmenduria njerëzore, luftërat. Njësoj sikurse çmenduritë e natyrës, termetet, stuhitë, kataklizmat.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

  • Që në fëmijëri jam mësuar dhe edukuar të mos nënçmoj as idealizoj askë, sado që janë disa personalitete që meritojnë respektin dhe admirimin.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

  • Asnjëri, por çmoj shumë personalitete historike dhe rolin e tyre që kanë luajtur në të mire të kombit, vendit dhe njerëzimit.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

  • Besimi i madh në njerëzit.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

  • Imponimin pa kaçik, gënjeshtrën.

Në cilat gjëra e teproni?

  • E teproj ndonjëherë me ndenja më të gjata me shoqëri, kuptohet në ato raste edhe me pije.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

  • Nuk di, por do të dëshiroja të mos më imponohej kurrë një sjellje e tillë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

  • Ai i rëndomti, i mësuari: Punë- banesë, por edhe Prishtinë – vendlindje.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

  • Faktikisht, por edhe – lësho teposhtë!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

  • Për miqësinë që ia kam ofruar ndokujt, i cili pastaj më ka zhgënjyer me ligësi të skajshme.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

  • Nëna, e cila më rriti dhe më edukoi me durim e përkushtim të pashoq. Përrallat e saj më ishin literatura më e mirë që m’u ofrua ende pa mësuar shkrim-leximin. Falë saj, para së gjithash, jam ky që jam. Qëndresa dhe qëndrimi i saj ma ushqejnë edhe ndjenjën që kam për familjen time.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

  • Përpiqem të mbaj një baraspeshë, të ruaj qetësinë shpirtërore që nuk është edhe aq lehtë të ruhet…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

  • Çfarë do të ndryshoja te vetvetja? Asgjë e ndoshta edhe shumëçka. Ndoshta të isha pak më i kursyer në hapjen dhe besimin ndaj njerëzve.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

  • Çdo ditë të re e konsideroj mundësi për arritje të reja.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

  • Do të ndryshoja ndonjë gjë që më është “dhuratë” e virtyteve apo e dobësive të mia, të cilat i përmenda më parë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

  • Sa interesant do të ishte kthimi! Megjithëkëtë kjo është çështje për të cilën nuk më është dhënë të mendoj ndonjë herë, e as tash shoh arsyen apo nevojën të mendoj. Por nëse bëhemi këmbëngulës për përgjigje, mbase do të dëshiroja të bëhesha një shkëmb në ndonjë bjeshkë të lartë për të vrojtuar jetën dhe zhvillimet e saj në vazhdimësi.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

  • Njerëzillëku.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

  • Ai mjerim shihet më së miri në raport me realitetin: Gjendja në të cilën jemi kantandisur si shoqëri. Më mundon e dhemb shumë kjo pagjendshmëri e jona të ecim rrugës që duhet si duhet. Veprimet dhe tonet aq disonante të politikanëve, mosdurimet e skajshme të atyre të cilët do të duhej të ishin bashkë dhe të punonin bashkë. Më pengon gjithë ky degradim që po ndodh në jetën tonë në përgjithësi, para së gjithash në arsim, kulturë, shëndetësi, në politikë e në qeverisje të vendit, humbja e respektit dhe e konsideratës ndaj vlerave. Sikur na i ka marrë mendtë liria! Nëse para njëzet vjetësh ka qenë i natyrshëm kushtrimi “Vendlindja thërret” për ta çliruar atë nga okupimi, sot do të ishte e natyrshme të ishte “Shteti thërret” për ta ndërtuar atë si duhet.

Ku do të dëshironit të jetonit?

  • Edhe në vendlindje kur shkoj, ku kam bërë një ambient vërtet të lezeçëm, prapë ndiej nevojë të kthehem në Prishtinë, te çerdhja.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

  • Burrërinë, mbajtjen e fjalës para së gjithash.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

  • Mençurinë, sidomos kur ajo është e shoqëruar edhe me bukurinë shpirtërore dhe fizike.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

  • Çmoj shumë rilindësit tanë, ata që hapën hullitë e para në letërsinë tonë dhe patën rol aq të madh në zhvillimin tonë kulturor, arsimor, e edhe në zhvillimin si qenie politike. Dua edhe shumë shkrimtarë të tjerë kombëtarë e botërorë. Posaçërisht i lexoj me ëndje poetët  për fëmijë. Preferencën përpiqem ta shpërfaq edhe nëpërmjet shkrimeve kritike e studimore për vepra dhe autorë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

  • Ata që punojnë shumë për veten dhe arritjet e tyre i përdorin për zhvillimin tonë si komb, si vend dhe si njerëzim.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

  • Nuk ndiej nevojë të dëshiroj talente. Ato lindin tek individi, ndaj i ke ose nuk i ke. Me rëndësi është të punohet në zhvillimin e talenteve që ke, e jo siç jam sjellur unë me talentin për pikturë, ta zëmë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

  • Lehtë, por kur të vijë koha, e ajo kohë është mirë që nuk është në dorën time se mbase nuk do të vinte kurrë.

Cila është motoja juaj?

  • Sikur nuk më del nga mendja motoja e Naimit “Dhe vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë…” E thënë moti, por aktuale gjithnjë./Gazeta Observer