Pyetësori i Prustit: Agim Baçi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet gazetari dhe kritiku Agim Baçi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturinë dikush e krijon, dikush e ndjek, dikujt fati ja sjell përpara syve. Dua të besoj se është jeta pranë atyre që i duam dhe na duan si dhe pranimi i vetes me gjithë kufijtë e mundshëm. Të paktën mund të themi se vetmia është palumturi.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika ime më e madhe është të mos kem frikë!

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Mamanë time, të cilën çdo ditë që më rriten fëmijët e mi, e kuptoj edhe më shumë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Do doja të kisha sadopak nga Gandi apo Malkolmi, që të tërheqin me kurajën për të ndryshuar.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Inati.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mendjemadhësia.

Në cilat gjëra e teproni?
Ngurrimi për të thënë “Jo” edhe kur dikush e meriton.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Ideja se mund të shpëtoj diçka më të madhe se sa ajo që e prish e vërteta.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Kam në mendje gjithnjë një foto në sfond, përdore me familjarët e mi, duke ecur në një fushë që mbaron në det.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Si fjalë të vetme, fjalën “Zot”, dhe si shprehje “Duaj ti, mos prit vetëm të të duan, se nuk ndodh!”

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Nëse kam patur mundësi të jap diçka, por për shumë arsye mund të kem nguruar.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja ime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Meditimi (në Ramazan natyrshëm shtohet heshtja, që i hap rrugën meditimit)

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Vullneti. Besoj se vullneti mund të na zgjidhë atë çka kërkojmë, ose mungesa e vullnetit mund të na lërë në një shtrat trishtimi, pasi mund të mbetesh veçse duke ëndërruar se çfarë mund të bëje.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Ideja që s’kam frikë të përballem edhe me gabimet e mia.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk më pëlqejnë fjalitë me “sikur…”. Duket se vetëm humbasim apo krijojmë idera të gënjeshtërta, duke menduar me “sikur…”

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Si njeri do doja të isha po ky që jam. Si send do më pëlqente të isha një çesme, ku njerëzit të shuanin etjen qoftë edhe për një çast.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Biblioteka.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën dhe të mos besosh në asgjë!

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend ku do të kisha miq.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Besoj se është kurajo për të falur veten. Nëse mundem ta bëjë këtë, atëherë jam i qetë edhe me të tjerët.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Guximin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Natyrshmërinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Dostojevski.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që ngrihen pas çdo rrëzimi dhe që injorojnë kotësitë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të shkrimtarit.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke parë fëmijët e mi që ecin përdore me fëmijët e tyre…

Cila është motoja juaj?
Më mirë besoj dhe humbas, se sa dyshoj dhe fitoj!/Gazeta Observer