Pyetësori i Prustit: Ana Kove

ana kove

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Ana Kove.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Ideja ime për lumturinë e përkryer është ajo për dashurinë e përkryer.  Nuk i ndaj dot.  Dashuria e madhe e dhuron lumturinë e madhe. I palumtur je vetëm  kur del jashtë fuqisë së gravitetit të dashurisë.  “Lumturi e përkryer” – kjo është një sintagmë edhe më shumë se letrare. Realisht nuk di nëse ka ndjesi  në  përqasje me përkryerjen e  lumturisë. Edhe në çaste përjetimi të epërm, qenia njerëzore kërkon edhe më përtej… pra në mendjen tonë përkryerja është një fiksion diku më larg, që sërish duhet mbërritur. Segmentohet edhe ndjesia e  lumturisë…

Cila është frika juaj më e madhe?
Unë kam shumë frikëra. Madje mund të bëj të qeshin edhe fëmijët me frikërat e mia. Në kohë ato kanë ndryshuar. Ajo që ishte dje frika ime më e madhe sot është reminishencë, që unë vetë e përqesh. Frika ime më e madhe tani në këtë moshë, është sikur të mos jem në gjendje t’i plotësoj vetës nevojat ekzistenciale fizike dhe shpirtërore.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Dikur kisha idhuj. Idhuj të gjallë.  Adoleshenca ime është e mbushur me të  tillë.  Persona që i admiroja madje dhe i imitoja. Ka shumë raste që nuk rezultoj shumë e rritur, por këtu besoj se jam rritur. Nuk admiroj vetëm një njeri të gjallë, por të gjithë njerëzit e fortë që ia dalin të guxojnë e të rifitojnë jetën e tyre, sa herë u është rrezikuar a kërcënuar. Sa herë kanë prekur fundin e  saj, apo janë sulmuar egër, sërish kanë mundur të tregojnë se janë. Sizifët e kësaj bote admiroj, ata nuk janë më pak mitologjikë se ai i legjendës.  Një njeri i tillë jeton pranë meje…

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me asnjë të tillë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Mbindjeshmëria. Ajo udhëton bukur bashkë me mua zakonisht, por ka stacione që edhe pse nuk duhet të ndalojë fare, ndalon. Dhe kur ndalet e zë cak, sheh se s’ushqehet me gjë tjetër, përveçse duke konsumuar lëngjet e veta…

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Koprracia. Aftësia për të kalkuluar  çdo gjë… Matematizimi i emocioneve.

Në cilat gjëra e teproni?
Në dëshirën për udhëtime dhe kur s’duhet a s’mundem. Me kohën e harxhuar për të përmbushur ëndrrat. Edhe, kur  shpesh koha shkon dhe m’i merr me vete të gjitha ëndrrat… Pastaj vijnë të tjerat, e kohë tjetër shkon sërish. Herë ëndrrat më marrin kohën, e herë koha më merr ëndrrat. Nuk po e gjej dot ekuilibrin e artë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Gënjej dhe do të gënjeja në çdo rast, që do të përmbushte paqen time dhe të njerëzve që dua, pa rrezikuar atë të të tjerëve.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Çdo rrugëtim për mua është i preferuar. Rrugëtimet drejt destinacionesh të panjohura janë rrugëtime drejt zgjerimit të lirisë. Më pëlqen t’u rikthehem vendeve që dua, dhe që kanë lënë gjurmë në shpirtin tim. Më i preferuari është rrugëtimi drejt vetes. Ai është rrugëtim sa i bukur aq edhe i mundimshëm që shkon nga liria drejt çlirimit. Nuk di të them nëse përfundon ky rrugëtim ndonjëherë. Do Zoti nuk përfundon kurrë, që të vazhdojë të mbetet “I preferuari”.  Gjërat që mbarojnë dikur, s’janë më nën epitetimin e të preferuarave aktuale. Rrugëtimi më i adhuruar është rrugëtimi i Hyjit!

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Unë zakonisht kujdesem kur flas, që të mos përdor parazitizma apo fraza rutinore. Duke e pasur edhe kërkesë të profesionit. Por, pavetëdija është po aq e fuqishme sa vetëdija. Duhet të jenë disa sharje me origjinë dialektore, që përdor në kushte të caktuara nervozizmi, dhe për respekt të lexuesit nuk po i shkruaj.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Janë shumë gjëra që jam penduar jo se i kam bërë, por sepse nuk se nuk i kam bërë. Ose, së paku, ende nuk i kam bërë. Për ato që kam bërë, edhe kur pendohem në çast, koha m’i kthen në përvojë. Nuk pendohem edhe kur gaboj. Më pëlqen një fjalë e urtë gjermane: Gabimi e bën mjeshtrin.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Një nënë do të japë gjithmonë të njëjtën përgjigje besoj: Fëmijët  e mi. Pastaj është emri im. Jo thjesht emri që kam marrë dhuratë nga prindërit, por ai që unë kam krijuar vetë, me ndihmën edhe të njerëzve të dashur; për t’ua lënë dhuratë identitare fëmijëve, por  edhe njerëzve më pranë meje shpirtërisht.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Momentalisht tek shkruaj jam me pushime në më të bukurin vend dhe më të bukurin det: Jonin. Si ky det jam. Paqe e kaltër, dhe dallgëza shkumëbardha mendimesh e kujtimesh që shkojnë e vijnë bregut nën ritme zhaurimash shpirtërore. Pra, jam nën një melankoli krijuese dhe jo makthi. E di se nuk do te zgjasë shumë…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Përulja. Jam rritur nga një gjyshe e lidhur fort me besimin e krishterë. Por, ca virtyte të besimit keqinterpretohen apo keqpërdoren nga njerëz larg besimit. Por, këtë gjë nuk kam më mundësi t’ia ndryshoj vetes.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të shkolloj dy fëmijët e mi në Perëndim. Kjo është në fakt arritja e tyre, por edhe imja, pasi kam qenë realisht mësuesja e tyre e gjermanishtes, duke i bërë gati kryesisht vetë në standardin e kërkuar të një gjuhe, por  sidomos të një kulture; dhe të gatshëm për të përballuar atje si qytetarë të barabartë kryesisht mënyrën e të jetuarit dhe pastaj studimet.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë nuk do të ndryshoja, përveç diçkaje: Nëse kam lënduar ndokënd, do të doja ta zhbëja…

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Një  nimfë besoj. Herë uji, herë peme. E varur nga simbioza jetësore  e dashurisë. Unë nuk jetoj dot vetëm me dashurinë për veten…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Gjëja? Pra, objekt? Një bibël e vjetër e familjes “Ndë të folë Toskënisht”. Në një gjuhë të bukur e gati të perëndishme, e paprekur nga shëmtia e turqizmave të imponuar, por edhe nga ngurtësia e shëmtuar e standardit komunist. Dhe, kam mundësi të lexoj në atë gjuhë që janë lutur të parët e mi.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Borxhet. Sido qofshin ato…

Ku do të dëshironit të jetonit?
Di të them se ku nuk do të dëshiroja të jetoja. Në një vend që nuk ka diell dhe ujë deti, liqeni a lumi.  Larg tyre nuk di në do të mund të jetoja, ose do të jetoja shumë keq…

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Energjia-thonë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Pasionin. Humorin. Inteligjencën. Ndjeshmërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të njëjtat gjëra edhe tek një femër. Por edhe forcën e saj, pa e humbur sharmin dhe ndjeshmërinë femërore.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Ua, janë shumë. Në kohë të ndryshme, të dashur të ndryshëm. Por tek unë ndodh edhe t’u kthehem dhe t’i  kem sërish ekskluzivë, si tani: Herman Hesse.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nuk do përmend heronj me emra të përbotshëm. Nuk e teproj nëse them hero është ai që ia del të mbërrijë një qëllim gati të pamundur. Në këtë këndvështrim hero në jetën time të vërtetë është djali im. Ia doli jo vetëm të jetojë dhe shkollohet në një vend si Zvicra, ku një student nga Shqipëria duhet të paguante një kuotë diskriminuese financiare:  8-fishin e kuotës studentore, krahasuar me një “europian” (dhuratë ndëshkuese e shtetit ku lindi); por sepse, përmes “të dish” apo “të kesh” ia doli “të dijë të ketë” shumë shpejt pavarësinë e tij; duke i dhënë shpesh kurajë fjalësore edhe “depresioneve që unë  i përcillja nga një vend si Shqipëria”. Pra, heronjtë kanë  përmbysur rolet… Jam e bekuar.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Nuk di në mund të quhet talent apo aftësi: të kuptoja atë çka nuk thuhet. Mendoj se qeniet kanë gjuhën e tyre. Kafshët, zogjtë, peshqit, lulet.  Edhe sendet. Ato na shërbejnë. Ne i përdorim pa e menduar, nëse duan të na kumtojnë gjë, apo jo. Ka madje objekte që na bëjnë rezistencë. E kështu jo më kot kanë lindur besëtytnitë. Ja, për shembull, ka kohë që pasqyra në shtëpinë time nuk më tregon më aq të bukur, sa kjo pasqyra e hotelit këtu ku jam me pushime. Dua ta di pse?  Hahaha.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Im atë, Stefan Kove, peshkatar i  përmendur në Pogradec, kur ishte më i ri më thoshte gjithmonë: dua të vdes në liqen. Dhe tani me kalimin e viteve shoh se në disa gjëra kam filluar t’i ngjaj tim eti. Edhe unë duke notuar dua të vdes. Ose duke e përjetuar një ndjesi të tillë. Pa dhimbjen fizike se nuk mundem të notoj, por me dëshirën e madhe për të kapur një breg që nuk e njoh, edhe në atë botë…

Cila është motoja juaj?
Jeto dhe leri të tjerët të jetojnë…/ Gazeta Observer