Pyetësori i Prustit: Anton Panchev

anton panchev

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet studiuesi, profesori dhe përkthyesi i letërsisë shqipe Anton Panchev.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer nuk mund të ekzistojë në asnjë mënyrë.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika nga vdekja e pakuptimtë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Dua shumë njerëz dhe admiroj edhe më shumë dhe nuk mund të dalloj një person të veçantë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Respektoj njerëzit, të cilët nuk janë dorëzuar dhe i kanë mbrojtur idetë e tyre pavarësisht nga rrethanat tepër të rënda. Në të njëjtën kohë mendoj se mbi ndërtimin e imazheve të figurave historike ka pasur shumë ndikime propagandistike, qoftë pozitive ose negative, dhe për këtë arsye nuk mund të identifikohem me ndonjë person.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Kur kam hezitime dhe dyshime.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Agresiviteti.

Në cilat gjëra e teproni?
Gjykimet ndaj të tjerëve.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Të mbroj veten dhe njerëzit e dashur, si edhe për ndonjë përfitim profesional nëse e dëshiroj shumë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Në malet e vendlindjes sime.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Çfarë është kuptimi i këtij veprimi?”.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Për disa veprime të pamatura, të cilat i kanë goditur disa njerëz të mirë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Libri.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Kërkimi i sfidave të reja profesionale.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Ndjenja e krenarisë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Se kam lexuar shumë libra dhe kam komunikuar dhe vazhdoj të komunikoj me njerëz të urtë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Ndoshta shumë gjëra dhe ndonjëherë kam ëndrra për ndryshime të tilla, por në fund të fundit jo vetëm se është e pamundshme, por në një rast të tillë rezultati i dëshirueshëm ndoshta do të ishte edhe më i keq sesa gjendja e tanishme. Me siguri do ta përmirësoja edhe më shumë shëndetin tim.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të doja prapë të jem unë por me përmirësime të dukshme fizike dhe mendore.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Pak gjëra i posedoj në mënyrë fizike dhe pa dyshim janë librat e mi.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Shëndeti i dëmtuar dhe dëshprimi absolut.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Vetëm në vendlindjen time.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Durimi dhe vetëbesimi.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Morali.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Lev Tolstoi. Vetëm për shkak të romanit “Lufta dhe paqja” derisa veprat e tij të tjera nuk më pëlqejnë shumë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit e thjeshtë, të cilët i përballojnë vështirësitë e jetës çdo ditë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Mua më mungojnë pothuajse të gjitha talentet, por më së shumti do të doja një cilësi psikike – më tepër vendosmëri.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Do të doja vdekja ime të ketë ndonjë kuptim me vete.

Cila është motoja juaj?
Nuk kam. / Gazeta Observer