Pyetësori i Prustit: Xhabir Ahmeti

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari dhe gazetari Xhabir Ahmeti.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Liria.

Cila është frika juaj më e madhe?
E ardhmja e pasigurt e brezit më të ri të popullit tonë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Mësuesen time të gjeografisë – Mysherefe Sadullahu.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Petro Nini Luarasi.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Toleranca e tepruar.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Neglizhenca.

Në cilat gjëra e teproni?
Duke u besuar njerëzve.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Po të gjendesha në lëkurën e Boris Davidoviçit.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
T’i vizitoj fshatrat arbëreshe e arbërore për t’i studiuar atje të folmet dhe traditën shqiptare.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Qetësohu, qetësohu!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që s’jam vendosur të jetoj në Prishtinë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Gjuha shqipe.

Cila është gjendja momentale mendore juaja?
Stresi.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Mosha.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Sukseset e fëmijëve të mi.

Nëse do të mund ta kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk do të punoja si gazetar, por mësues në ndonjë fshat malor, i rrethuar me libra.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Poeti romak – Katuli.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Vendosmëria.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Analfabetizmin që po na kthehet.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Janinë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Maturinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Sinqeritetin.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Çehovi.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit me shumë fëmijë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Për fotografinë artistike.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në këmbë.

Cila është motoja juaj?
Armikun munde me vepra./Gazeta Observer