Qaj shpirti im, për nënë që egërsia e njeriut i rrëmbeu fëmijën nga gjoksi!

Nga Teresa Wilms Montt

Qaj, shpirti im, qaj!
Qaj për natën e shkretë, qaj për yjet që janë lot rrëzëllues prej kristale misteri!
Qaj për heshtjen e zezë të peizazhit dhe të shkëmbinjve të akullt në horizontal që zhduket.
Qaj për zogun fatthënës në majë të selvive dhe për gjarprin e zhgënjyer në zgavra lisash!
Qaj, shpirti im, qaj për ankthin e të vdekurve të harruar dhe për çka mbeti nga anija e mbytur!
Qaj, për urën e padobishme, e cila e ka zhytur në ujë gjysmën e trupit të saj.
Qaj për bukurinë e humbur të statujave të gjymtuara!
Qaj, shpirti im, qaj për detin e egërsuar, që me zhurmën e tij të egër emocionon qiellin!
Qaj por djepin bosh!
Qaj për ekstazën e liqeneve të turbullt dhe për vështrimin e ngrirë të llambës së fikur!
Qaj për ortekun e dëborës që rrafshon rrugën dhe e bën njeriun më të mirë!
Qaj për parinë dhe për gruan e mohuar në shtratin e spitalit!
Qaj shpirti im, qaj për nënën, të cilën egërsia e njeriut i rrëmbeu fëmijën nga gjoksi dhe e la vetëm në mes të jetës!
Qaj, shpirti im, qaj për ata që nuk gjejnë ngushëllim, që, me shpirt të vdekur, nuk bëjnë më asgjë dhe nuk presin më askënd!
Qaj, se fati yt po mbytet në ngashërime!
Oh nëna Natë! Nga e qara e madhe po të verbohet drita e syrit.
Oh, natë! Fati i keq po më ndjek pas dhe e trishtuar mbytem në lot, prandaj, do futem në gjirin tënd dhe do mbështes kokën, sepse vetëm aty gjej prehje.
Oh, natë! Nëse je brengosur aq shumë nga të qarat, dije se lotët që ke derdhur, janë bërë yje për të ndriçuar udhën e fatkëqijve!
Oh nata! Lotët e mi janë si lavë e zjarrtë që lënë brazda, aty ku rrjedhin. Ato, dalëngadalë, gërmojnë varrin e iluzioneve të mia.
Oh, moj natë! Në zymtësinë tënde despotike, të një mbretëreshe të pikëlluar, gjej ngushëllim motre…
Oh natë! Eja, bashkë me vdekjen! Eja se, në plagët e mëkatit, dua të ndjej shenjtërinë e tokës që do të më mbulojë!
Eja, vdekje! Eja më merr dhe më përkund në krahët e tu eshtakë!
Eja dhe më jep puthjen e harresës!

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


taras shevçenko ukrainë ukrainas

Lexo edhe:

AMANETI I POETIT UKRAINAS: KUR TË VDES, MË MBULONI TE NJË KODRINË…

Për herë të parë, poetin e madh ukrainas Taras Shevçenko, për lexuesin shqiptar e solli Mitrush Kuteli. Ai rrëfen si e pat prekur jehonën dhe praninë e poezisë dhe shpirtit liridashës të Shevçenkos në popullin e vendit të vet, në Ukrainë.

Asokohe Kuteli nuk e pati ditur se edhe fati jetësor i tij do t’i përngjante fatit të poetit të madh ukrainas, i cili qe dënuar për kohë të gjatë nga Cari: “Do të ndalohet të shkruajë dhe të pikturojë’… Dhe në kuadrin e Ukrainës të sotme, që po lufton me kurajo të pashoqe kundër një superfuqie, Kuteli na zbulon nëpërmjet një analize plot lirizëm, sesi vargjet e Shevçenkos rrëfejnë sa fort është e rrënjosur ndjenja e luftës për liri në shpirtin e popullit ukrainas.

Ju ftojmë ta lexoni njërën prej poezive më të njohura ukrainas të Shevçenkos “Amaneti”:

Amaneti

Kur të vdes, të më mbuloni
Te ndonjë kodrinë,
Që ta shoh gjithnjë, vëllezër,
Mëmën Ukrainë;
Të vështroj me gaz në zemër,
Fushën pa kufi.
Të vështroj si derdhet Dnjepri,
Si buçet ai,

Si vrapon mes Ukrainës,
Drejt e për në det,
Do t’i lë më nj’anë aherë,
Fushat dhe rrëketë;
Do të ngjitem lart në qiell
Perëndinë të shoh,
T’i flas hapur e t’i lutem,
Se tani s’e njoh.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult