Rekomandime leximi nga Klodian Kojashi

kojashi mbase

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Klodian Kojashi.

Ja cilat janë librat që Kojashi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

————————————

Jo vetëm qi asht e vështirë me sugjeru disa libra por them e pamujtun. Jo, e vështir s’asht me i sugjeru por iluzion i madh me shpresu se tjetri te ato libra ka me hasë ato shije e ka me përtyp me mendje ato vizione që ke provu ti vetë. Kjo sepse, siç thoshte Proust, njeriu s’lexon librin por përmes librit lexon vetveten. Libri, vazhdon Proust, s’asht veçse nji lente qi mundëson me pa brenda vetes ato gjana që pa librin s’i shef dot.

Nga Klodian Kojashi

Ama, pa dashtë me i dredhu pyetjes, por edhe pa dashtë me ia hek asaj shpirtin ngacmues, kisha pasë qejf me thanë se janë do libra si ato doktorat e përgjithshëm,  shkon fëmija, shkon plaku e nusja e re e ato arrijnë me dhanë këshilla te çmueshme. Pra, libra të vlefshëm me u lexue në çdo moshë, në çdo stinë të jetës, edhe para se me u pjekë, po edhe para se me vdekë.

Këtu  mundem me futë Klasikët greke, Shekspirin, Tolstojin, Eposin e Kreshnikëve, Librat e Shenjtë të besimeve të ndryshme, Haikun japonez, përmbledhjet poetike e magjike të Edgar Lee Master, Baronin e Calvinos, Fishtën, Simone Weil, Madame de Beauvoir etj. Ka pastaj do libra që janë si doktora specialist që mbase ia vlen me i lexu ndërsa shfleton moshat e ndryshme që jeta t’i dhuron.

Mundem me dëshmue se çdo përvojë e veçantë në jetë ka nevojë për nji libër të ndryshëm. Ishte Emil Cioran qi thoshte se pas çdo përvoje duhet me ndërrue emrin se s’jena ma të njëjtit, unë po them se duhet me ndërru libër e autor. Po e mira e tanave kishte me ken pikërisht kjo, me e mendu jetën të lidhun ngushtë me librat. S’ka anije ma të shpejtë se ato, thotë Dickinson, për me mbërritë në toka të reja.

Në përpjekje me e mbyll ktë hapje që e ndjej se kërkon me u zgjatë, po ndaj me lexuesit tre tituj që kanë ndiku në jeten time në këto dhjete vitet e fundit, në kalimin figurativ, nga mosha e çmendun drejt moshës së shtrueme.

Antonio TabucchiDëshmon Pereira”

Tabucchi, një italian shumë luzitan, sjell një epope qytetare dhe civile. Duke ndjek Pereirën rrugëve të një Lisbone vezulluese ne arrimë me pa si zbardh agimi i ndërgjegjes. Si mundet me u zgju shpirti i njeriut edhe atëherë kur çdo za i brendshëm e i jashtëm i thotë se asht e kotë e se s’varet prej tij, se janë do fate të mëdhaja si çarçafe që bijnë nga qielli e s’ke nga ikë.

Mirëpo një shpirt që zgjohet arrin me këput litarët e trashë të çdo dyshimi. Tabucchi na fton me pa thellësinë e gjurmës që len jeta e secilit në shoqninë njerëzore. Mbasi e kam lexu, për shumë kohë librin e mbaja mbi komodinën afër shtratit, si hajmali, si marifet për shpirtin tem që asaj kohe kishte nevojë me u zgju e me dalë me pa botën.

Herman Hesse: “Siddharta”

Nji roman i shkurtë por i mbështjell i gjithi rreth nji flake të vogël që nuk shuhet asnjiherë. Nji i ri indian që merr rrugat për me kërku vedin. Nji udhëtim drejt urtisë e drejt nji të vërtetë ma të madhe. Mirëpo këtyne shtigjeve të errta me të shti gishtat në sy lypet me pasë a me gjetë diku nji dritë, nji shkëlqim që ua zbulon t’vërtetën gjanave. Po çka asht e ku asht ajo dritë që t’i hap sytë nji herë e përgjithmonë? Ky djalë e kërkon e ku s’e kërkon.

Aventura të shumta e presin, vendime i duhet me marrë, drejt ka me veprue shpesh, por edhe ka me gabue, ka me ndryshu, ka me insistu, ka me u pendu e ka me kërku prapë njerëz, vende, përvoja. Ashtu si protagonistin jam i sigurtë se edhe lexuesin e presin vetëdije të reja faqeve të këtij libri. Urtësia, na mëson Hesse, nuk asht një tokë e thatë ku s’bjen kurrë shiu i gabimeve, por asht ma shumë nji kopsht ku përvojat e mira e të kqija japin mësim bashkë.

Vepra poetike e Naim Frashërit

Shumëkush ka me thanë se Naimin e kena lexue e rilexue. E di, në atë ‘gropë’ kam ra edhe vetë që mendojsha se e kisha lexue, mendojsha se e njihja madje ma shumë se kaq, mendojsha se isha mbushë tejmase, që në shkolle fillore, me frymëzimet patriotike të Naimit. Ama, kur nisa me e rilexue para do muajsh, kuptova se gjithë këto vite s’kisha kapë asgja nga shpirti e nga fjala e tij e bekueme.

Poetika e Naimit nuk ka qëllim përfundimtar atdhedashurinë, ajo asht nji hymn karshi bukurisë së mirësisë e dashnisë universale, asht kushtetutë hyjnore, asht fauna e qiejve, flora e shpirtit tonë, butësi, melhem, antenë që na lidh me kozmosin. Naimi flet p137r atdheun, për fatet e tij, ai u flet ndërgjegjëve shqiptare, por rruga që propozon s’asht tjetër veçse ajo e dashnisë më e për çdo gja të gjallë.

Me e lexue e mbrapa me të ardhe zor me pasë ndonjë mendim të keq a edhe thjesht indiferent ndaj tjerëve, ndaj kafshëve, ndaj gjithësisë. Më e lexue e me të kaplue nji dashni e madhe fort.

ObserverKult


Lexo edhe:

KLODIAN KOJASHI: M’THUJ SE KE ME M’DASHTË EDHE NËSE ÇMENDEM!

KLODIAN KOJASHI: T’DU SE TEK TI GJEJ NJË PJESË TIMEN