Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir publicistin Latif Mustafa.
Ja cilat janë tri librat që Mustafa u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
————————–
Është paksa e vështirë të gjesh, qoftë edhe tre libra, për t’i sugjeruar. Vështirësia nuk vjen nga përgjigja se pse duhet sugjeruar këto libra, sa vjen nga vetë gjetja e librave. Rekomandimi është porosia, e porosia është shpalosje e qenies. Lakmitarët e subjektivitetit nuk parapëlqejnë të shpalosin gurët mbi të cilët është ngritur ngrehina e tyre. Ata mund të sugjerojnë e rekomandojnë libra dosido, por lexuesit e vërtetë i përmbahet etikës të mësuar nga libri dhe përpiqen ta rekomandojnë më të mirën, të paktën, sipas perspektivës së tyre.
Nga Latif Mustafa
Leximet e para, apo leximet e hershme kur njeriu arritë të rrokë botën ndryshe ndjehet disi lakuriq dhe gjithçka që lexon përpiqet ta adaptojë si petk për të mbuluar lakuriqësinë e tij shpirtnore e intelektuale.
Gjithçka që lexon përpiqet ta përpij. Tek më vonë gjersa njeriu arrin të kuptojë se njeriu ka dy rrugë në formimin e personalitetit të tij intelektual bazuar në modele dhe paradigma ekzistuese. Modeli i parë është modeli i ndërtimit paradigmatik me çrast esencializmi apo ideja bazë mbi të cilën ndërtohet ngrehina e mendimit është shumë e rëndësishme.
Modeli tjetër është modeli Feyerabendit, anything goes, ku çdo metodologji është irelevante dhe gjithçka është në fluks të lëvizjes. Por pavarësisht, njeriu pas një moshe të caktuar, u ik leximit të librave strukturorë dhe përpiqet të lexojë libra narrativ ku në vend të lodhjes së intelektit njeriu përpiqet ta pushojë e llastojë atë. Megjithatë, në vazhdim do përpiqem të rekomandoj disa libra që mua më kanë lënë përshtypje paçka se njeriu yshtet të jetë dhaskal ose mësues për tjetrin.
Apologjia e Sokratit
Burim i filozofisë mbi të cilin apo në kontradiktë me të cilën filozofia e ndërton identitetin e vet është miti. Kurse filozofi i cili i prinë kësaj ndërrmarjeje intelektuale është Sokrati. “Apologjia e Sokratit” është njëri ndër librat të cilët shpalosin karakterin e thelbit të filozofisë perëndimore përmes filozofit Sokrat. Libri në gjuhën shqipe quhet “Platoni” i cili përmbledh edhe disa libra të tjerë, Apologjia e Sokratit, Kritoni, Fedoni dhe Elozhi i Dashurisë ose Simpoziumi. Sokratin e vërejmë si personazh kryesor edhe tek librat e tjerë të Platonit por tek Apologjia e Sokratit, qoftë edhe te Kritoni ose Fedoni, shqyrtohet qëndresa e një urtaku i cili nuk lejon kompromise me parimet e veta për të cilët mendon se janë universale dhe gjithëvlefshme nga një burojnë nga introspeksioni i shpirtit universal njerëzor.
Sokrati, përtej një angazhimi intelektual, filozofinë e konceptonte edhe si stërvitje shpirtërore me çrast ndikimi i Pitagorës, Heraklitit dhe Parmenidit ishte i pashmangshëm. Shpeshherë, mbase edhe janë bërë të dalë mode emrat klasik të filozofëve si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, por rikthimi ndaj klasikëve të filozofisë dhe të gjurmuarit e filozofisë në burimet e saj, lehtësisht e konceptojmë pastërinë, thjeshtësinë dhe prakticitetin e filozofisë.
Librat e Sokratit ose të Platonit janë të shkruar në dialogje dhe mund të lexohen pa ndonjë sforcim kognitiv. Besnikëria ndaj ligjeve, një botë e ndërtuar përmes rendi dhe ligjit si burim i pashterrshëm për të vënë drejtësinë në tokë si refleksion i një drejtësie eternale që është e pashkatërrueshme dhe e përhershme.
Në Apologjinë e Sokratit, Platoni përpiqet të tregojë të metat e demokracisë dhe si një grup “matufësh” pleq arrijnë të ndërtojnë një akuzë të rreme dhe të ekzekutojnë një dënim të shëmtuar, më të vështirin për njeriun më të ndritur sipas Platonit. Një libër që meriton të lexohet.
Muzeu i pafajësisë
Është një libër tjetër i shkruar nga autori nobelist turk Orhan Pamuk. Ajo çfarë më bën përshtypje në këtë libër është përshkrimi i Stambollit dhe ringritja e tij mbi gërmadhat e një kryeqyteti perandorak. Migrimi drejt qytetit nga zonat periferike fillojn ta vërshoj dhe mbipopulloj qytetin i cili në fund të viteve dyzeta numëronte më pak se një milion banor.
Migrimi drejt qytetit do të ndikojë një ngritjen e botës së biznesit dhe krijimit të aristokracive të reja. “Muzeu i pafajësisë” është një tregim dashurie midis Kemalit dhe Fysinit e përshkruar përmes një pritjeje të gjatë. Në binarin tjetër, përbri përshkrimit të kësaj storieje dashurie Orhan Pamuku përpiqet të përshkruaj ngritjen e një aristokracie të re turke e cila, sado që përpiqej t’i përngjiste Parisit dhe Evropës po prapë në brendësinë e saj kishte mbetur shtypëse dhe patriarkaliste.
Trashëgimi i dukurive dhe zakoneve të vjetra, krijimi dinamik i kastave shoqërore, feja në ndërtimin e raporteve njerëzore dhe mbi të gjitha një tregim i papërsëritur në historinë e dashurisë janë disa motive të këtij libri.
Në kulmet e dëshpërimit
Është njëra ndër veprat më origjinale në lidhje me pesimizmin, dëshpërimin dhe agoninë e shkruar nga filozofi rumun Emil Cioran. Në këtë vijë të shkrimeve mund të radhiten filozofët si Niçe, Shopenhauer, Hesse, Sartër dhe Kamy.
“Në kulmet e dëshpërimit” është një libër introspektiv me çrast Cioran zhytet thellë në sekretet, agoninë dhe irracionalitetin e jetës. Ky libër, thuhet të jetë shkruar në moshën 23-vjeçare, në një moshë relativisht të re, kur ai po vuante nga sëmundja e pagjumësisë.
Temat e tij të trajtuara, me një stil krejt origjnal dhe thellësisht subjektiv janë: vdekja, vetmia, vuajtja, ankthi, agonia, çmenduria dhe absurdi. Në të gjitha këto tema po ashtu mund të gjendet një pikë shprese kur ai flet për entuziazmin si formë dashurie.
Për Cioranin edhe pse jeta është një agoni e gjatë dhe njeriu i shpëton kësaj kur sa më shpejt ta kuptojë se shpëtim s’do të ketë. Sipas tij vdekja është gjithmonë e pranishme në jetë.
Ky libër mbase mund të konsiderohet edhe si libër “blasfemik” por megjithatë përpjekja dhe stërhollimet dhe trajtësimet narrative mbi përshkrimin e temave, stilin dhe mënyrën bindëse se si ndonjëherë dhimbja mund të sublimohet në motive të larta për shkrim dhe krijim artistik.
Është e vështirë të përcaktohesh për tre libra. Vështirë është të përcaktohesh edhe për më shumë libra. Në botë ka shumë libra. Por disa na shpien në kufijtë e imagjinatës së tjetrit, e disa të tjerë në kufijtë e dijeve të tjetrit. Libri na mëson se çfarë mund të dijmë dhe çfarë mund të imagjinojmë. Po të gjitha librat lexohen për t’u kuptuar veç një libër. Ai libër është njeriu.
ObserverKult
Lexo edhe: