
Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafire e ObserverKult është shkrimtarja, Marsela Neni. Ja cilat janë librat që Neni u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
——————————————————-
Për çfarë ka uri shpirti yt?
Lexues i dashur, përqafoje këtë pyetje. Pyetjet janë shumë më të rëndësishme se përgjigjet. Mëso të jetosh si pyetje! Ji kërshëri! Përgjigjet gjithnjë vijnë pakuptuar, vetvetiu, fshehësisht… Në gjithë këtë që do të lexosh, kjo është fjalia që duhet të nënvizosh, që duhet të mbash mend, që duhet t’ia përsërisësh vetes: Për çfarë ke uri, o shpirt?
Kush jam unë për të të dhënë rekomandime se ç’duhet të lexosh? Unë nuk të njoh. Jo personalisht. Nuk di ç’po ndodh tani në mendjen tënde, në zemrën tënde, në botën tënde. Nuk di në ç’ujëra lahesh, në ç’diell e ngroh shpirtin, në ç’vend të shpien ëndrrat, për kë të qan syri, për ç’kujtim s’të dhimbset fjala. Unë nuk di asgjë për ty.
Nga Marsela Neni
Unë mund të flas vetëm për veten. Mund të flas për mënyrën se si kam mësuar të bie, se si i kam besuar peshës sime, gravitetit, përjetësisë së trupëzuar në një libër, përpara se …të fluturoj.
Por diçka dua të ta them: dëgjo. Askush nuk ka humbur gjë nga dëgjimi. Lexo qindra menu dhe bëhu provues! Jepu një shans librave! Hapi! Lexo dhe lëri të të lexojnë!
Të lexosh një libër është si të lahesh në një lum. Deri më sot unë jam larë në shumë lumenj. Në disa edhe jam rilarë. Jam kredhur në ujërat e njohura, por si tjetërkush e kam njohur veten. Edhe vetë jam një lumë që rrjedh. Me disa libra që kam lexuar, jam përbashkuar. Jemi bërë një. Të tjerë më është dashur t’i përshkoj mes për mes. Disave u kam kaluar anash. Në disa kam peshkuar. Dhe shumë të tjerë me presin në raftet e bibliotekës sime të madhe t’i vizitoj. Blej gjithnjë shumë libra. Jam tahmaqare, e di. Por gjithnjë përfytyroj babain tim pensionist që përtypet gjatë, kur do të blejë një libër. Më mirë të kem zahire për dimrin e madh që më pret, them gjithnjë me vete.
Që prej fëmijërisë librat kanë qenë gjithnjë miqtë më të mirë. Disa prej tyre më kanë ndihmuar në kohë të vështira, si: “Tre shokët” e Remarkut, “Vëllezërit Karamazov” e Dostojevskit, “Tonio Krëger” e Mannit. Disa të tjerë më kanë rritur, si: “Novelat” e Cvajgut, “Fausti” i Gëtes, “Odisea” e Homerit, “Letër humanizmit” e Hajdegerit, “Don Kishoti i Mançes” i Servantesit, “Shkretëtira e Tartarëve” e Buxatit etj. Të tjerë libra kanë zbuluar gjuhën në mua, si: “Lahuta e Malcis” e Fishtës, poezitë e Lasgushit, të Migjenit, të Camajt. Me të tjerë libra jam konfliktuar, me disa kam debatuar, të tjerë i kam neveritur, disa më kanë mërzitur. Për disa kam qarë. Me disa kam qeshur. Me ndonjë me të mbi fytyrë kam fjetur…
Vetë në lexim jam kredhur në diakroni, për të njohur më të largëtat kohësi. Por kam ndryshuar, tani s’mendoj njësoj, ndaj nëse dikush merr mundimin të më pyesë, unë i them nise nga tani, njih bashkohësinë. Po ndaj me ju tri lexime që ia vlejnë. Po nuk ju pëlqyen, pa problem, ka plot libra të tjerë.
Menuja e ditës:
“Albertina e zhdukur”, Marsel Prust
Për pjatë të parë ju ofroj “Albertina e zhdukur”, libri i gjashtë i ciklit monumental të Prustit “Në kërkim të kohës së humbur”. Një vepër që qenësinë e saj e shpërshfaq përmes një stili introspektiv, ku ndjenja analitike e humbjes, xhelozisë dhe vetëvëzhgimit zbërthehen me një saktësi estetike të rrallë dhe ku mungesa kthehet në praninë më të fortë estetike, duke treguar si kujtimet e ripërpunuara janë më të fuqishme se përjetimi direkt. Lëvizja nga realja në imagjinare e bën këtë vepër një reflektim estetik mbi fuqinë e imagjinatës njerëzore për të krijuar realitete të tjera. Mbase duke e lexuar, kush e di, kupton se mund të kesh qenë dhe ti një ‘Albertinë’ në jetën e dikujt.
“Letra një poeti të ri”, Rainer Maria Rilke
Për pjatë të dytë do të ofroja epistolarin e Rainer Marie Rilke “Letra një poeti të ri”. Ky libër i vogël në formë, por jashtëzakonisht i thellë dhe i ndriçuar në përmbajtje, përbëhet nga dhjetë letra që Rilke ia dërgon poetit Franz Xaver Kappus, dhe që përtej këshillave poetike, përbëjnë një reflektim mbi krijimtarinë, vetminë, ndjeshmërinë dhe zhvillimin shpirtëror të njeriut krijues. Ky libër është i mbushur me ngjyrime lirike, ndjeshmëri dhe thellësi filozofike. Flet me një zë shumë personal, por trajton tema universale që prek çdo njeri që kërkon të kuptojë veten dhe artin. Është një ushqim shpirtëror që të jep forcë përballë dyshimeve, pasigurive dhe frikës.
“E keqja e mirë”, Samanta Shveblin
Për pjatë të tretë “E keqja e mirë”. Një vëllim me tregime të shkurtra nga shkrimtarja argjentinase bashkëkohore Samanta Shveblin (S. Schweblin). Shveblin është një përfaqësim i fuqishëm dhe origjinal i realizmit magjik në letërsinë moderne. Ajo ndërthur realitetin e zakonshëm me elemente të çuditshme, shqetësuese e surrealiste, duke i dhënë kësaj rryme një formë të re, më intime dhe psikologjike që ka në fokus marrëdhëniet e përçudnuara njerëzore, tensionet e jetës moderne, tëhuajëzimin, frikën prindërore, kontrollin dhe brishtësinë emocionale. Një tjetër libër që ia vlen të lexohet prej saj është “Kentukët”. Pasi ta lexoni, me siguri nuk do të mendoni njëlloj për inteligjencën artificiale dhe robotët.
Kaq besoj se mjafton, të paktën për sot. Nëse do të më pyesni nesër, nuk do të më gjeni duke u larë në ujërat e të njëjtit lum.
Ju bëftë mirë!
ObserverKult
Lexo edhe:






