Rekomandime leximi nga Salajdin Salihu

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Salajdin Salihu.

Ja cilat janë librat që Salihu u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

————————————————–

E kam të vështirë të rekomandoj libra për lexuesit. Është sikur dikujt t’ia imponosh ushqimin tënd të preferuar. Mund të bëj disa kombinime me librat që më pëlqejnë. Ashtu siç mund të bëj kombinime me libra që nuk do t’ua kisha rekomanduar lexuesve. Le t’i përmend disa libra që më ranë ndërmend.

Nga: Salajdin Salihu

Pallati i ëndrrave – Ismail Kadare

Sepse është kryevepër mbi pushtetin diktatorial, i cili synon ta kontrollojë jo vetëm vetëdijen, por edhe pavetëdijen e njerëzve, aty ku është burimi i ëndrrave.

Sepse është libër që flet për çdo regjim ku secili njeri mund të ndëshkohet, ku edhe persekutuesi mund të bëhet i persekutuar.

Sepse është libër mbi paranojën e njerëzve të veprimit.
Sepse flet për frikën e përgjithshme dhe paralizuese në një sistem të dhunshëm.

Vështrim mbi dekompozimin nga Emile Ciorane (në frëngjisht: Précis de décomposition)

Sepse është libër ku flitet për gjendjen e pashpresë dhe për kulmin e dëshpërimit.
Sepse nuk është libër që mund t’ua rekomandosh njerëzve të lumtur.

Sepse autori shkon përtej asaj që duket, përtej skemave që kemi krijuar mbi jetën, vdekjen, rilindjen, heronjtë, idhujt, idolatritë e ndryshme.
Sepse ka stil shkrimi të paprovuar më parë.

Sepse aty kemi sprova të shkurtra filozofike mbi kalbjen e njeriut dhe shoqërisë, mbi kotësinë e jetës, mbi njeriun që e ka brenda vetes xhelatin e heshtur, i cili mund të shndërrohet në vrasës kur e humb aftësinë e indiferencës, kur e mitizon idenë e tij, kur nuk i parashikon pasojat e veprimeve dhe ndodh nga i persekutuar të bëhet xhelat.

Sepse në këto sprova mbi zbrazëtinë, ekzistencën, rrënimin, mungesën e shpresës, thuhet shumëçka me vetëm një fjali. Si p.sh.: “Njeriu është hija e dashuruar në pluhur”.  
Më pëlqen ky libër sepse aty nuk mund të nënvizosh ndonjë mendim, pasi duhet ta nënvizosh të gjithë librin. Më pëlqen ky Bodler i filozofisë.

Identitetet vrastareAmin Maalouf

Sepse në qendër të mendimit të Maalouf it është njeriu dhe humanizmi.
Sepse është një sprovë për pasojat dhe konfliktet që burojnë nga mitizimi i përkatësisë.

Sepse është libër kundër fanatizmit dhe ksenofobisë.
Sepse është ftesë për t’i pranuar përkatësitë e ndryshme identitare.

Sepse autori beson se bota mund të qetësohet vetëm duke i pranuar identitetet e ndryshme, përndryshe, mohimi dhe luftimi i identiteteve të tjera, siç thotë, shkakton vetëm dhunë, vrasje, terror, luftëra, krime, spastrime etnike dhe gjenocide, që bëhen në emër të kombit, fesë, racës apo qytetërimit.

Sepse nga ky libër mund të nxjerrin mesazhet: ta kuptojmë Tjetrin; të jemi human; t’i refuzojmë ekstremet; të jemi kundër çdo fanatizmi; të mos i përligjim krimet kundër njerëzimit; të mos mbyllemi brenda konceptimit fisnor për identitetin; ta zbusin “panterën e zezë” të identitetit; çdo identitet të ketë vendin e vet në trashëgiminë universale; të nxitet dialogu ndërkulturor; të nxitet respekti dhe hapja ndaj identiteteve; të nxiten shkëmbimet kulturore; të priremi nga kompromisi; nevoja për përkatësi kolektive të mos e nxisë frikën nga Tjetri ose mohimin e tij; çdo përkatësi tjetër ta pranojmë me tolerancë, pa frikë dhe mëri; mos ta urrejmë diversitetin; mos i shikojmë të Tjerët si qenie inferiore vetëm pse nuk e kanë të njëjtin identitet si tonin. Shkurt, siç porosit autori, ta nxisim dëshirën për vëllazëri dhe jo për vrasje.

ObserverKult


Lexo edhe:


SALAJDIN SALIHU: EDHE DASHURITË ARRATISEN