“Gjithë ditët e heshtjes tënde” poezi nga Rexhep Shahu
Në gjithë ditët e heshtjes tënde
Jam zgjua pa bletë, fole pa zogj,
Gëzhojë e ndryshkur predhe
Harruar në fushë nga lufta e fundit.
Gjithë kohën që desha me të harrue,
U bëre mendimi im i çdo çasti.
Mungesa jote është e papërballueshme
Frika kur jam pa ty
Është fati i vetëm i keq që më ndjek.
Nuk e lexoj dot çfarë shkruhet në hapsirën bosh
Ku derdhet shikimi i syve tu,
Nuk di ta vizatoj veten në fushën e mungesës
Në shikimin tënd të turbullt,
Por di ta fotografoj çastin kur më le pa frymë,
Përfytyrimi se të kam pranë,
Çastin kur zgjat duart të më prekësh
Dhe shtangesh se nuk ke pranë as ajër…
Mos më ler të fle,
Mos më ler të fle gjatë se kam frikë se nuk zgjohem më,
Dhe qaj e ulëras në ëndërr për ty,
Ulëras sa dridhet dheu kur s’të kam pranë,
Shpërthej si vullkan, bëj mal të ri
E jo më s’po hedh tej dy metër kub dhe që më hidhni përmbi,
Mos më ler të fle gjatë
Nuk mundem pa ty.
ObserverKult
Lexo edhe:
REXHEP SHAHU: GJITHMONË KAM DASHTË TË MË DUASH…
Unë kam dashtë gjithmonë të vallëzoj me ty
Të fluturoj brenda syve tu.
Gjithmonë kam qenë në ëndërr me ty
Mbi det në një vals të dridhshëm
Mbështetë në njëri-tjetrin
Deti s’më ka dashtë në fundin e tij
Më ka lënë të vallëzoj me ty.
Gjithmonë kam dashtë të më duash
Të më duash si unë ëndrrën me ty
Dhe shtjellën e ëndërrt që na ngre në qiell.
Poezinë e plotë mund ta gjeni KËTU