Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet përkthyesja Rielna Paja.
Cila është ideja juaj per lumturinë e përkryer?
-Ekziston vetëm si pjesë e leksikut, në Fjalor. Lumturia ime e papërkryer ka ngecur diku në fëmijëri. Ishte vjeshtë. Nëna nderte teshat në oborrin mbushur plot lule krizanteme. Era i lëkundte butë. Unë rrija në dritare duke shijuar ëmbëlsirën e gatuar prej saj dhe buzëqeshjen që më dhuronte herë pas here me një kapëse druri që mbante mes dhëmbëve.
Edhe pse e hijshme, lumturia është mendjelehtë. Hidhet pa menduar sapo sheh një çast të bukur. Kështu bie në kurthin e njeriut që ka dhunti të paparë për ta shndërruar gëzimin në hidhërim, miqësinë në armiqësi, dashurinë në urrejtje, besnikërinë në tradhti, jetën në vdekje. Ndaj lumturia është jetëshkurtër. Jo si dhembja që është një zonjë e rafinuar, e mençur, me forma të kolme, veshur me të zeza, një të kuq buzësh alle dhe një vel hedhur mbi fytyrë. Ndryshe nga lumturia janë njerëzit që joshen dhe bien në kurthin e saj. Pa shpëtim.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Më shtien tmerrin rrëshqanorët dhe araknitet. Jo vetëm nga pamja, (bërrrrr…) por edhe sepse i lidh me mitologjinë si: Meduza, Arakne, Hidra, Kraku… Ashensori po ashtu. Sa herë e përdor sytë i kam të ngulur te numri që tregon katet dhe ndërkohë llogaris me përafërsi peshën e atyre që janë rrotull meje.
Nga jeta kam shumë frikë. Vetëm duke jetuar ndesh dramat njerëzore: dhembjen, sëmundjet, tradhtitë, dështimet, deri te tragjikja, vdekja. Nuk është vdekja që më tremb, por mbretëria e pasvdekjes me terrin dhe ferrin.
Cilin person të gjallë e admironi më shumë?
-Njeriun. Këtë gjallesë që ia del të jetë spektakolar në shoun e së Mirës dhe së Keqes.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Të identifikohem ndoshta jo, por të ndjek filozofinë e tyre për jetën. Do zgjidhja një Trini: Kleopatra, Frida Kahlo dhe Scarlet O’ Hara. ( Kjo e fundit karakter fiksional.)
Kleopatra mendjehollë, poliglote,(zotëronte 9 gjuhë) e cila përdori mençurisht hiret e saj jo thjesht për të shijuar lidhjet romantike, sesa për të fuqizuar aleanca ushtarake me qëllim mbrojtjen e Egjiptit. Dinjitoze edhe në humbjen e dinjitetit. (Ndërmend hyrjen e saj madhështore Romë.) Mposhti dy perandorë, magjepsi filozofin Paskal dhe frymëzoi Shekspirin.
Frida libertine, e talentuar, luftarake. Kishte dhuntinë të gjente harenë edhe në tragjedi. Ndjeshmëria e saj e jashtëzakonshme e ktheu dhembjen në art pamor.
Rosella, që ka mbetur në histori me shprehjen e njohur optimiste: “Nesër do të jetë një ditë e re.” Unë, në fakt, parapëlqej shprehjen: “Askush nuk mund ta vërë Rosellën në qoshe.” Përtej fytyrës së një “bitch woman”, kishte shpirt të bukur. Ato që e përçmonin, meritonin që Scarlet t’u thoshte: “Hej! Mos flisni pas shpine për mua. Duhet të më falenderoni se shpëtova Tarën dhe nuk ju lashë të vdisnin urie. Hajt! Merrni albumin dhe zbavituni duke parë koleksioni tim të burrave.”
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
-Nëse kuptoj se ka keqdashje në një marrëdhënie, qoftë romantike apo miqësore, e zhduk në çast nga harta e njerëzve të mi të dashur. Në këto situata kam një shpërfillje të tmershme. Kthehem në ajzberg. Kjo është dhuntia ime, apo tipari që nuk e pëlqej, sepse s’më mjafton pëlqimi, e admiroj.
Cili është tipari që nuk e pëlqeni te të tjetër?
-Pabesia. Jo në dashuri. Sigurisht, edhe në dashuri, por duke ditur se dashuria është e verbër ndodh që në një lidhje njëri e tradhton tjetrin se bie në dashuri me dikë tjetër pavetëdijshëm. Nuk komandohet ndjenja. Por pabesia në miqësi, pra kur dikujt i beson gjëra të rëndësishme nga jeta personale dhe të ha pas shpine duke ia rrëfyer një tjetre, është e pafalshme. Këtu s’ka verbëri, ka poshtërsi.
Në cilat gjëra e teproni?
-Vaji i ullirit nuk është asnjëherë shumë. Po, e teproj me vajin e ullirit, por po shtoj edhe sende kancelarie, libra, detergjentë…
Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
-Shumëkush thotë se do gënjente për të shpëtuar jetën e dikujt. Unë, si mistrece Berati, them se do ta bëja për të shpëtuar jetën time. Të gjithë gënjejmë për të nxjerrë veten nga situata të vështira, edhe pse mund të ndihemi keq. Është pasojë e leximit të Pinokut në fëmijëri. S’mund ta duash, nëse nuk gjen pak vete te ai.
Cili është rrugëtimi juaj i parapëlqyer?
-E kam bërë me librat që kam lexuar në fëmijëri si: “Udhëtimi i Shigjetës së Kaltër”, “Udhëtimet e Guliverit”, “Udhëtimet e kapitenit Hateras”, ” 20000 lega nën det”, ” Rreth botës për 80 ditë”, “Udhëtim në qendër të tokës”, pra, udhëtimi im i parapëlqyer është fantazia. Nuk përjashtoj ndonjë udhëtim në vendet e Amerikës Latine.
Xhunglat e Amazonës që kanë të njëjtën fuqi hipnotizuese ndaj atyre që i shkelin, sikundër njihet aftësia hipnotizuese që ka anakonda ndaj presë së saj, Peruja me kozmodromin e Naskës dhe Limën ku shiu bie aq rrallë sa nuk gjen mushama mbrojtëse në dollapet e banorëve, Kolumbia në të cilin nëse teshtin nxjerr kokainë nga hunda.😛
Më ka magjepsur kultura e majave dhe inkasve qysh kur kam lexuar “Bija e Montezumës”. Australia një tjetër destination. E kam konsideruar gjithmonë kontinentin e llojit ‘videogame’ me vështirësi ekstreme. Iguana të hap dritaren kur ke vapë, merimangat të arredojnë sallonin e ndenjes dhe pitoni të lan tualetin.
Cilën fjalë apo frazë përdorni më së shpeshti?
-Kismet!
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Do të thosha keqardhje për gjërat që nuk i kam bërë në varësi të kushteve ekonomike apo mungesës së guximit dhe pendim për gjërat që i kam bërë duke u dhënë nga vetja njerëzve që nuk e meritonin, sepse duhet t’u kisha thënë “Ik në të s’ëmës!” në provën e parë, pa u dhënë mundësi të dyta.
Çka ose kush është dashuria më e madhe e jetës suaj?
-Pyetja me e saktë drejtuar një nëne do të ishte “…pas fëmijës?” Po, im bir. Familja nga vij, familja ku kam shkuar, pastaj ARTI i çdo forme është religjioni im.
Cila është gjendja juaj mendore momentale?
-E parehatuar.
Nëse do kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja cila do të ishte ajo?
-Ndoshta të bëhem disi patetike. Jam 0 në këtë pjesë.
Çfarë konsideroni arritjen tuaj me të madhe?
-Edukimin me vlera të tim biri.
Ekzistencën time në këtë univers të pamatë si një qenie pa të dytë.
Arrirjet e tjera janë të zakonshme. Përmbushja e përgjegjësive si një banore e planetit.
Nëse do mund të kthenit kohën pas çfarë do të ndryshonit?
-Fëmijërisë nuk do t’i ndryshoja asgjë. Do të doja ta riktheja veç për ta rijetuar, të jem sërish nën mbrojtjen dhe dashurinë e prindërve, që tash më kanë ” braktisur” se i thirri Zoti në Kuvendin e të Vdekurve. Pjesës tjetër do t’i ndryshoja gjithçka që tani e shoh si të gabuar.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhni të jeni?
-Një amazonë që jeton e lirë, një farë Robinson Kruzo që shijon jetën primitive, larg rrokopujës, teknologjisë, parasë që është kthyer në fetish. Po edhe një kënd lojërash që gumëzhin nga fëmijë të hareshëm do e zgjidhja me kënaqësi.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që zotëroni?
-Jeta. Kujtimet. Dhuntia që kam për veçuar të bukurën në këtë botë plot shëmti dhe ta ndjej deri në asht. Biblioteka personale.
Çfarë konsideroni si mjerimin me të madh?
-Të jetosh në një vend plot pasuri natyrore dhe të jesh popull i varfër nga politikëbërja. Mungesa e skrupujve per të arritur qëllimin. Hedhja e baltës mbi dikë që ka guxim të bëjë publikisht ate që ti e bën edhe vetë, por privatisht.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në qytetit e Liliputëve, në ato shtëpitë e tyre fundosur mes violave, luleshqerrave, lulerradhiqeve, pranë pyllit që të mbledh lajthi, gështenja, kërpudha, manaferra, me fqinjë Dinshumin, Dinpakun, doktor Kininën, Vidhën, Pincën, Penelin, muzikant Lahutën, Hutaqin, Llafepakun, Llafeshumin, Sigurtin, Pasigurtin, Petullën…ku secili ka një dhunti që e vë në dobi të shoqërisë, ia dëgjojnë fjalën njeri – tjetrin dhe po aq fort duhen së bashku.
Cila është cilësia juaj e veçantë?
-Them atë që mendoj edhe me koston se do të humbas njerëz, pozicione, gjëra materiale.
Çfarë vlerësoni te një mashkull?
-Të mos qenit burrec. Fisnikërinë. Pas këtyre, mençuria është bonus i madh.
Çfarë vlerësoni te një grua?
-Elegancën shpirtërore. Hijeshinë e natyrshme. Varësinë nga pavarësia.
Cili është shkrimtari juaj i parapëlqyer?
-Pyetje e vështirë për dikë që dashuron leximin qysh kur mësoi të lexojë. Fat i madh për mua që në shtëpinë e tim eti kisha libra kudo. Në rafte, mbi tryeza, në kuti kartoni, arkëza druri, mbi shtrat, poshtë shtratit…Dhuratë e tim ati që më bëri të jetoj jetë të dyta. Me libra si : “Zhelani i vogël”, “Kozeta”, “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Aventurat e Tim Sojerit”, “Tri vetë në një barkë” u futa në rrugët e Londrës bashkë me hajdutë e zhelanë, pashë basifondet e Parisit, Amerikën me skllevër, qesha me humorin fin anglez. Pastaj njoha gjigandët rusë. A mundet të gjesh të dytë si Dostojevski dhe Tolstoi në thellësinë e mendimet dhe shpërfaqjen e anëve të errëta të natyrës njerëzore?!
Bulgakovi me “Mjeshtri dhe Margarita” për të cilin Veniamin Karver shkroi “Për origjinalitet do të jetë e vështirë të gjesh një tjetër vepër të ngjashme në letërsinë botërore.”
Admiroj Ungaretin, Quasimodon, Montalen hermetizmi i të cilëve ishte kontesti historik në të cilin shkruan. Oriana Fallaci që guxonte të thoshte të vërteta në një Itali nën diktaturë kulturore. Alexandra Pizarnik, Sylvia Plath, Anne Sexton, Alfonsina Storni, Antonia Pozzi, Amalia Roselli të cilave sa herë u lexoj poezitë shoh dëshirën për vetëvrasje, shumë ” të parespektueshme” për të pranuar rregullat e shoqërisë, shumë të drejtëpërdrejta që të shtireshin për ndjesi që nuk i provonin, tepër të palumtura me përditshmërinë e shtëpiakes. S’po flas për Hemingway- in, Bukowskin dhe plejadën e shkrimtarëve bashkëkohorë!
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Përgjigja klishe: Prindërit. Pastaj mjekët, “zotët” e jetës në tokë. Heronjtë e veprimeve, se heronj të fjalëve hap librat dhe gjej me shumicë.
Cilin talent do të donit të kishit?
-Kupid, të lëshoja shigjetën dhe të bashkoja njerëzit që e meritojnë dashurinë e bukur. Këngëtare rock, patinatore në patinazh artistik, atlete, fizikante…
Si do dëshironit të vdisnit?
-Të hidhesha nga tarraca e një ndërtese shumëkatëshe dhe teksa shkojë drejt vdekjes gjëja e fundit që do të shihja do të ishin lulet shumëngjyrëshe nëpër ballkone. Pastaj, njerëzia që do thotë “U preFtë në parajsë!”, po unë e kam siguruar tapinë për në ferr.
Cila është motoja juaj?
-Fli vonë. S’ke kohë për të humbur me gjumë.
ObserverKult
Lexo edhe: