Nuk e di kur kam vdekur.
Data e vdekjes sime nuk është shkruar ende mbi var;
në krah të emrit është 1960;
më në krah
koha mban në dorë një daltë.
Dikush t’i thotë: kam vdekur;
vdekja ime s’ka datë.
Mos besoni ditëvdekjen që do t’ju thonë librat,
gazetat, guri i varrit për mua.
Viti dymijë e … është një vit dhe aq, kur,
përfundimisht do të kem arritur në fundin e udhës
nisur si një flirt spermatozoidi me një vezë
në një pellg qejfi të papërmbajtur
të një nate të çmendur a mbase
ndaj një t’gdhire tejet të përgjumur.
Kam kohë që kam nisur të vdes:
me heronjtë jam shtrirë i therur,
përgjakur në sheshet e luftës,
me të gjithë të pafajshmit që vdekja në rini i ka korrur;
kam vdekur i paepur, si mbret.
Qafa ime ishte po aq brishtë sa ajo e Ifigjenisë
mbi gurin e kurbanit për anijet që prisnin
me velat ndehur e sytë e përgjakur të akejve
të mësynin Ilionin.
Ja dorën vë dhe prek shenjën e shpatës
dhe qaj me Klitmenestrën e mallkoj edhe sot Perënditë
që kurrë s’u ngopën me gjak e me kurme të virgjër.
Por, pastaj vdiqa edhe me Agamemnonin; në zverk
kam edhe gjurmën e sëpatës së Egistit
(megjithëse edhe unë do të vrisja për një të dashur
Dhe po ta dija se që të nesërmen do të më vrisnin)
Perëndi kam vdekur, Zot
i rrethuar me mister në krahët e një gruaje
me emër prostitute
Madalenë.
Kam vdekur si dashnor i thekur
e i pafat në krahët e Zhuljetës,
me Ofelinë jam çmendur e pastaj kam vdekur
i mbytur mbuluar me lule të bardha
nën shelgun e zi e mizor.
Dhe po kaq herë u ngrita, por vdekja
çdo herë një copëz zemre kish ngrënë
e një grunajë shpirti kish korur.
Tashti endem në Helsinjor me gjakndezurin Hamlet
që shtron heshtjen hakmarrëse nën hapat
me helmin që na rrjedh në damarë
sipas sahatëve të kurdisur nga fati.
Kam vdekur tashmë… Sa mirë që kam vdekur!
S’më duhet më të përplasem me hijen time
me kohën ku e pamoralshmja shitet për ar
ku vjedhja e vrasja të jep në duar peshore drejtësie
dhe skeptrin e të aftit mbi krye të vë
e përnjimend të bën Zot.
Oh sa i lirë jam tashti, më dëgjon?
S’më duhet të them me vete mendjeshkrepje
sipas trurit të mjergullt të atij të rrjedhurit
që veç përsëriste lart e poshtë nëpër kështjellë
dilemën: “të rrosh a të mos rrosh”.
ObserverKult
Lexo edhe: