Robert Burns: O Meri, eja në dritare!

O Meri, eja në dritare;
Ësht’ ora jonë e dëshëruar!
Ç’kushtojnë mijëra thesare
Përpara syve t’adhuruar!
Mundim të madh do të duroja,
Si skllavi që duron i strukur,
Kur zemrën tënde ta fitoja,
Moj Meri Morison e bukur!

Dje, me muzikë dhe vjoli,
Nër djem e vajza kërcimtare,
Mendimi im më shkoi tek ti,
Unë isha atje, po s’ndieja fare:
Kish fort të bukura nër to,
Kish plot me nur sa s’bëhet më,
Po unë thashë: “Nuk ka, jo,
Si Meri Morison asnjë!”

O Meri, do ti ta mundosh
Atë që zbret për ty në varr?
Do shpirt e zemër t’i coptosh
Për fajin se të do me zjarr?
Në s’më pranon si dashuror,
Trego për mua pak mëshirë!
Ti s’mund të kesh një shpirt mizor,
Moj Meri Morison e mirë.

Përktheu: Lasgush Poradeci