Kompozitori i njohur, Robert Radoja, vjen në një intervistë në ‘News 24’, ku rrëfen jetën mes dy sistemesh. Ai kujton fëmijërinë e hershme dhe emrat që e shënjuan karrierën e tij, deri edhe te talentet që zbuloi. “Kur mbarova shkollën, s’doja të ikja nga Tirana dhe qëndrova te Pallati i Kulturës”, thotë ai, ndërsa tregon si zbuloi talente si Irma Libohova, Suzana Frashëri, Elsa Lila, Inva Mula a Ermonela Jahon.
“Ermonela Jaho veçohet për interpretimin, i jep shpirtin skenës. Ajo është e natyrshme dhe vë veten në role”, vëren Radoja.
Mandej kujton fëmijërinë e tij. “Njohja ime me Avni Mulën ndodhi që kur isha fëmijë. Më jepte mësim dhe deri diku ndikoi te unë. Më vonë, isha në Tiranë kur erdhi në Pallatin e Pionerëve, Nina Mula me erdhi me Invën përdore e më takoi. Më tha ta shihja nëse ka talent. Inva ishte fëmijë perfekt, e njoha kur ishte 8-vjeçe”.
Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, janë modelet e tij në art. “Modeli im më i mirë, Tonin Harapi. Edhe Prenkë Jakovën e njoha shumë herët në Shkodër. Jakova vinte në shtëpinë time me Ndoc Shllakun, ishte shumë serioz, perfekt dhe kërkues dhe vinte nga familja Jakova që ishte familje e madhe”.
Kur pyetet për fatin e trishtë të Prenkë Jakovës, vdekjen e tij në moshë të re, pas problemeve që familja e tij pati me sistemin komunist, Radoja thotë: “Çdo sistem ka faqen e zezë, por art u bë. Jetonim me bukë me triske, por u hap teatri. Të mos ngatërrohemi, se fjala “pioner” vjen nga anglishtja, Lindja e huazoi nga Anglia. Më 1946 kishte analfabetizëm, por u zhduk më pas”, thotë kompozitori.
I pyetur për vitet 1970, kur shumë artistë ranë pre e spastrimeve që bëri Partia Komuniste, kompozitori Robert Radoja pranon: “Të gjithë kemi pasur frikë asokohe. Ata që thonë se ishin të lumtur, e kishin këtë frikë. Diktaturë do të thotë “të bësh si them unë”.
Sa i takon artit në komunizëm dhe funksionit të tij propagandistik, Radoja ka një shpjegim: “Filmat po, kishin propagandë por kishin edhe artistë të jashtëzakonshëm që luanin në to”.
Si një krahasim mes dy kohëve, ai thotë se ka më shumë varre në demokraci se sa para 1990-ës, e ndërsa vihet para konstatimit se varret e komunizmit mungojnë sepse 6 mijë vetë janë të zhdukur dhe pa varr, profesori, vë në peshore dy kohët e sistemet politike: “Ka të zhdukur në komunizëm e në liri, mos e harroni Remzi Hoxhën”.
Ai ndalet edhe te miqësia me Robert Papavramin. “Çështja e Papavramit është histori me vete, ju dha një mundësi dhe e shfrytëzoi”. Kur pyetet për pengjet, Radoja pohon se është një “thes” që nuk mund ta hapë.
“Kemi jetuar më të bukurën e jetës dhe jam mirënjohës. Dikur kishte xhelozi dhe kritika ishte duartrokitja e atyre në rresht të parë. Nëse duartrokisnin ata e kishe kaluar, nëse jo, kishe probleme”, thotë Radoja duke nënkuptuar ekipet e censurës, dhe në fund pranon: “Këto janë mendimet e mia, janë të kontestueshme doemos”./(BalkanWeb)