Unë jam një njeri që më pëlqen të jetoj mes njerëzve, t’i shoh kur flasin e kur tregojnë, kur këndojnë dhe kur luajnë valle, kur qeshin e kur qajnë, të qartë dhe të dehur… Të bëhesh shkrimtar është njëlloj sikur të ecësh zbathur në një rrugë të shtruar me gozhdë me maja përpjetë…
Kjo është një intervistë e pabotuar më parë e shkrimtarit Dritero Agolli, të cilën Familja Agolli me shumë fisnikëri e mundësoi për lexuesit e këtij numri të suplementit Leteratura, dedikuar shkrimtarin tonë të madh. Në këto rrjeshta njohim Dritëroin njeri të rrëfyer nga ai vetë si edhe një “testament” të pashpalluar për shkrimtarët e rinj…
– Për ne të rinjtë Dritëroi krijues është gjeni. Po Dritëroi njeri cili është?
– Në Shqipëri fjala “gjeni” është shpërdoruar si anekdotë. Një shkrimtari të mirë mes të mirëve, nuk vonojnë t’ia venë emrin gjeni. Atëherë çfarë epiteti do t’u mbetej Dantes, Servantesit, Shekspirit, Hygoit dhe Gëtes apo Tolstoit? Nejse, është një punë e ndërlikuar të shpjegosh fjalën gjeni në kushtet tona. Por të vijmë tek pyetja juaj jashtë gjeniut. Unë jam një njeri që më pëlqen të jetoj mes njerëzve, t’i shoh kur flasin e kur tregojnë, kur këndojnë dhe kur luajnë valle, kur qeshin e kur qajnë, të qartë dhe të dehur. Dëshira për të jetuar mes njerëzve më ka shtyrë që t’i bie Shqipërisë kryq e tërthor më këmbë e më kalë, në kamion e në veturë, në vapë e në dëborë. Shqipëria, në mos gaboj, ka 2700 fshatra. Ma merr mendja se në rreth 2000 kam qenë. Prandaj kam miq shumë dhe kudo. Dhe tani gati çdo ditë përcjell nga dhjetë vetë, prandaj më duhet shumë raki, shumë kafe dhe shumë duhan, pa numëruar lekët, por sa për këto të fundit të më rrojë Parlamenti, që më jep rrogën e deputetit!…
– Po tjetër, si njeri, ç’mund të na thoni?
Tjetër? Në përgjithësi unë jam njeri i butë dhe i qetë. Përmbahem të mos jem mendjemadh. Nuk i kam qejf mburravecët, por nuk ua prish qejfin dhe i le të mburren, pastaj kur jam vetëm më qeshet.
Veçanërisht nuk i dua poetët mburravecë, poetët meshkuj. Kurse poetët e gjinisë femërore, domethënë poeteshat, më pëlqejnë kur mburren. Ah, si i perëndojnë syçkat! Ah, si i mbledhin buzkat!
I dua këngët popullore dhe kur këndojnë fshatarët, këndoj edhe unë bashkë me ta. Njëherë në fshatin Zall-Dardhë të Peshkopisë e këndova këngën “Hajredin Pasha”, i shoqëruar me çifteli nga miku im Aziz Ndreu, që është një këngëtar dhe një rapsod i madh dibran dhe i vendit. Doemos duke kënduar ma ka ënda të ngre edhe dolli.
Tjetër ç’të them? Unë ua fal njerëzve gabimet. I fal edhe ata që më kanë sharë, duke përdorur fjalët e Biblës: “Faljua, o zot, se s’dinë çbëjnë”. Jeta nuk jetohet vetëm me të zgjedhur dhe me dashamirës.
Ndonjë lutje apo ndonjë kërkesë që më bëjnë njerëzit, unë nuk ua kundërshtoj dhe shkoj pas tyre, aq sa Sadija, gruaja ime, më thotë: “Ty Dritëro, kushedi sa burra do të të gënjenin, po të ishe grua!” Dhe ka të drejtë. Edhe këtë intervistë nuk kisha qejf ta jepja, por ty nuk të kundërshtova se nuk më la butësia ime…
– A ka ecur gjithçka sipas ëndrrave tuaja?
Njeriu kur niset në jetë është i ngarkuar me barrën e shumë ëndrrave. Është si udhëtari që kur niset më këmbë për udhë merr me vete shumë gjëra, pastaj kur lodhet fillon dhe i hedh ato që i rëndojnë dhe nuk i mbart dot deri atje ku do të arrijë. Edhe ngarkesa e ëndrrave të mia në fillim të udhës ka qenë e madhe. Unë ëndërroja një shoqëri, ku njerëzit të ishin të barabartë dhe të mos ndaheshin në të pasur dhe në të varfër dhe mendova se idetë komuniste këtë ëndërr mund ta vinin në jetë. Kjo ëndërr nuk u bë jetë. Tjetër. Si djalë fshati ëndërroja të bëhesha veteriner për të shëruar kafshët dhe prisja të më dilte e drejta e studimit në ndonjë institut bujqësie, por shkova në Sankt-Peterburg për të ndjekur në universitet studimet për filologji. Edhe shkrimtar ëndërroja të bëhesha. Kjo u realizua. Ëndërroja të merrja një grua të mirë dhe fisnike. Dhe mora Sadijen, që është vërtet e mrekullueshme si një ëndërr. E mora pas shumë mundimesh, sa duhen tri ditë e tri netë për të treguar…
Sidoqoftë disa ëndrra u bënë jetë. Por nuk gjen në botë njeri që t’i ketë realizuar të gjitha ëndërrat. Ai që thotë se i ka realizuar është një mburravec dhe një gënjeshtar i prapë.
– Si duhet të jetë gruaja ideale sipas jush?
– Gruaja në sytë e mi duhet të jetë e bukur ose tërheqëse, fisnike dhe e zgjuar fisnikërisht, mikrpritëse dhe jo hijerëndë ndaj miqve, pjellore e bukurisë dhe e fëmijëve dhe më në fund të jetë e ngrohtë në pleqërinë time, duke mos më quajtur kurrë plak, por trim me pallë. Me këto virtyte ajo nuk duhet të dëshpërohet nga dështimet e burrit, në këtë rast të miat; as nga sharjet që mund të më bëhen. Sa herë që dëgjon dhe lexon sharje të pëshpëritë fjalën e urtë popullore: “asaj arre që ka kokra i bien me gurë”!
Ka edhe gjëra të tjera. Kur ndodh që burri është i dehur, ajo nuk e shan, por e krruan pakëz në kokë dhe i thotë: “gjak e dhjamë t’u bëftë! Ah, si nuk isha edhe unë me ty të ngrija një dolli dhe t’i palosnim të gjithë nën tryezë!” Ja, kështu!
– Ç’do të thotë të jesh krijues?
Maksim Gorki përafërsisht thotë se të bëhesh shkrimtar është njëlloj sikur të ecësh zbathur në një rrugë të shtruar me gozhdë me maja përpjetë. Doemos, kjo thënie është hiperbolike dhe e stërzmadhuar për të treguar vështirësinë e të qenurit shkrimtar. Megjithatë e tregon një pjesë të së vërtetës. Të jesh shkrimtar, përveç talentit, duhet të kesh edhe këto gjëra, sipas meje:
E para, të mposhtësh dembelizmin për t’u ulur në tavolinë para letrës dhe penës. Të ulesh me lehtësinë e gazetarit dhe me mënçurinë e filozofit. Të shkruash është e vështirë sa të ulesh. Vagneri, kompozitori i madh gjerman thoshte afërsisht: ju kujtoni se unë në piano ulem lehtë? Unë qaj nga zori kur ulem. Faik Konica, që vuante nga dembelizmi për t’u ulur në tavolinë, asnjë roman nuk shkroi. Edhe romanin “Doktor gjilpëra” e la vetëm me fillimin. Ja, çfarë i bëri tavolina Faik Konicës, këtij njeriu me talent dhe me “dembelent”. Unë me qëllim e krijoj fjalën “dembelent” nga fjala turko-perse “dembel”.
E dyta, të jesh shkrimtar do të thotë të vëresh çdo gjë, me një fjalë të dish të vëresh në natyrë dhe në shoqëri. Fjala vjen, të vëresh në natyrë lisin që ka një xhungë dhe rrapin që ka një xhungë me eshkë. Apo të vëresh në shoqëri një deputet ose një akademik që ka një kokërr të zezë, si nishan, në anën e djathtë të hundës, ku faqja bën një palë si të prerë. Por ndofta e vlen të dish se lepuri femër e mban fëmijën në bark 31 ditë dhe elefanti 22 muaj. Prandaj ne, shkrimtarët që i mbajtnë nëpër duar romanet 31 ditë, i quajmë lepuj dhe ata që i mbajnë nëpër duar 22 muaj i quajmë elefantë! Kështu që të vëresh do të thotë të kesh cilësi shkrimtari.
E treta, të bëhesh shkrimtar do të thotë të kesh zili pozitive dhe inat për të mos e quajtur veten inferior ndaj të tjerëve. Kjo nuk ka të bëjë me mendjemadhësinë e jashtme. Në njerëz mund të jesh i thjeshtë, por në vetvete të ruash “mendjemadhësinë” për t’ua kaluar të tjerëve në krijimtari. Të marrësh hak ndaj atyre që nuk kanë besim tek ti, apo edhe që tallen. Është si në boks.; tallen me një boksier fillestar, pastaj ai del kampion. Dhe kjo është hakmarrja ndaj talljes.
E katërta, të jesh shkrimtar do të thotë të marrësh pjesë në luftën politike Pse? Politika është lufta për ndryshime në shoqëri, kundër status quo-së. Shkrimtari është luftëtari i parë në luftë për ndryshime në shoqëri. Të mos merresh me politikë, do të thotë ta lesh politikën si monopol të disa njerëzve të zgjedhur dhe çfarë të bëjnë ata, ti të thuash “amin”.
E pesta, shkrimtar do të thotë të jesh zëri i kombit tënd, të qeshësh dhe të qash me kombin, si bir i tij, të goditesh padrejtësinë shoqërore dhe të luftosh për çlirimin e njeriut nga zgjedha e punës dhe e shfrytëzimit. Dhe bashkë me këtë të ngjallësh kënaqësi të larta estetike. Sidoqoftë, të jesh shkrimtar mbi të gjitha është të kesh talent, që vjen nga esenca e qumështit të nënës, pastaj janë edhe ato cilësi që numërova pak më lart.
– Dhe së fundi, ju kini një mbesë me emrin Ana. Çfarë është ajo për ju?
– Ana për mua është ëngjëlli i shtëpisë. Unë po të mos ishte Ana, mbase nuk do të vazhdoja të shkruaja; do të mbaroja së shkruari që më 1991. Por ajo lindi më 20 prill 1991 dhe unë nisa të shkruaj përsëri duke botuar librat: “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Fletorka e mesnatës”, “Shpirti i gjyshërve”, “Arka e djallit”, “Teshtimat e lirisë” e të tjera. Ajo është në klasën e tretë të fillores dhe është aq e mençur, sa unë çuditem se si i mban ato mençuri koka e saj e vogël dhe e brishtë. Bën hartime me një gjuhë të kulluar dhe të rrjedhshme, rri mbi detyrat e aritmetikës me durim si Arkimedi, hap fjalorët për të përkthyer nga anglishtja, dëgjon muzikë dhe luan valle, shikon në televizor ushtrime të fiskulturës dhe i ndjek, duke u ulur në mes të dhomës. E çuditshme, vërtet! Në verë, kur bën vapë dhe unë vishem me të holla, ajo më shikon e thotë: “O gjysh, i ke këmbët e holla si kleçka”!
Vërtet kleçka! Po ç’kanë hequr këto këmbë, moj Anë! Kam jetuar, dhe të jetosh është heroizëm, pasi edhe mund të mos jetoja…/(Gazeta Liberale)
Lexo edhe:
DHIMBJA E MADHE E DRITËRO AGOLLIT, ARIANI, DJALI QË LA NGA MARTESA ME RUSEN NINA