Rumi: E pashë sot mikeshën time…

rumi poezi per observerkult

E pashë sot mikeshën time… poezi nga Rumi

E pashë sot mikeshën time, turbanin e praruar,
Shtëpisë rreth e rrotull vinte, me çapin e nxituar.

Dhe harku i saj kumbim të ëmbël përhapte me lahutë
Ashtu siç shkrep një gur stërralli kur ndez eshkën e butë.

E dehur, e dalldisur fort ca vargje po këndonte
Sakinë thrriste që t’i vijë, tek kënga e trazonte.

Pa vjen Sakiu, pa një, pa dy, me broken e kërkuar
Dhe n’atë kupë që shndrit hedh verën e bekuar.

(Në lëng të thjeshtë a ke parë, ke parë ndonjëherë,
Se si del flaka-gjarpërushe nga gota plot me verë?)

Sakiu, me fytyrën hënë, vë kupën mbi çardak,
Përkulet lehtazi dhe ulet të puthë atë prag.

Sakaq me gaz e shtrenjta ime merr kupën e lartuar,
E pi, gëlltiti nga lëngu i saj me etje të pashuar.

Të artat flokë u shkëndijuan me një shkëlqim të beftë.
Kujtoi kohën, se si ish dhe nesër si do të jetë.

“Një diell i së vërtetës jam! Jam dashuria vetë!
Në shpirtin e dremitur hedh magji, lumni e jetë!”

Përgatiti: Dalan Shaplo

ObserverKult

—————————————————————————

Lexo edhe:

Xhelaludin Rumi: Duke kërkuar fytyrën tënde

Qyshse jam gjallë, fytyrën tënde kërkoja pa pushim,
sot të gjeta, pashë magjinë dhe njoha bukurinë,
atë hir që kam kërkuar dhe sot fare pa mend më le.

Sot të gjeta, por ata që talleshin me mua gjer dje
tërbohen nga inati, pse dhe ata si unë s’kërkuan,
tërbohem dhe vetë sepse s’ngopem duke të shikuar.

Zemër e përvëluar e mori shpërblimin më në fund,
më vjen turp ta quaj bukuri njerëzore, nuk mund,
ta quaj hyjnore, frikë kam nga Zoti. Fryma jote
se ç’më përtëriu, si fllad’i mëngjezit ndër kopshte.

Shpirti m’u dalldis, diell do të jem, për ty edhe hije,
fërgëlloj për ty i tëri, se ti në zemrën time
aq zjarr të madh ke ndezur, sa ndrit dhè e qiell.

Shigjeta ime e dashurisë goditi në shenjë,
shtëpinë kam si vakëf, zemrën ku lutem të shenjtë.

Shqipëroi: Maksim Rakipaj