Sadedin Mezuraj: Unë dhe ti frymë i falëm kohës…

"Gremina e dashunis"

Poezi nga Sadedin Mezuraj

Ditët u rrotulluan në karuselin e stinëve
Kaq i gjatë dhe iku kaq shpejt ky vit,
Të padukshme janë për shqisat e të tjerëve
Gjurmët që koha na lë në shpirt.

Për të fshehur ankthin e kohës që shkon
U shpikën këto festa -spektakël plot shkëlqim,
-Me dashuri dhe verë- shpirtin le ta dehim,
“Parajsa e përtejme” është thjesht një premtim.

Bëj një arithmetikë të thjeshtë, fillestari
Mbledh kohën e përbashkët dhe ditët me mungesë
Rezultati: metafizikë platonike malli,
Dymbëdhjetë muaj plus një stinë e pestë.

Unë dhe ti frymë i falëm kohës
Nga Big Bang-u i çasteve u lind një superstinë,
Por prapë, kur ndahemi, ankueshëm mërmërisim:
E pamjaftueshme koha është për dashurinë.

ObserverKult


Lexo edhe:

SADEDIN MEZURAJ: TI DO TË VISH NGA NJË QIELL TJETËR