Selvete Abdullahu: Nuk kam lindur t’ ma marrësh jetën ti

Lëviz mbreti Edip
bëjë një rrotullore rreth boshtit mëkatar
se hijenat kanë marrë udhën e fatkeqësisë
mbi trupin tënd lozur e perënduar
mëkatar i idit tënd të përbetuar.

Itakë në nurin tënd vezullon edhe ndër ijet
Kur kërkimi yt shpon një botë hamletiane
As nuk gjen folenë e as nuk prish porta
Ik bukuri e çastit në ishullin e pashkelur
Se thembra e Akilit nuk u pa gjëkundi
Ti dyfishi i shprehur numrator
Pjesë e zemrës së marrosur
Edhe pse pritjes i bëre kurorë

Duke kërkuar fatin në fatkeqësi
Një rrotullore e përbetuar
Mbetur lozonjare e pa djallëzuar
Vashë apo grua sido që je ti

Mos ma humb durimin as mua
Se nuk jam e lindur për t’u flijuar

E kur mbi supet e tua rënkon fëmija
E buzëqeshjen ia ke ngrirë në buzë
Mblidhe lotin falja dhuratë
Se mbi trupin e tij
Qyqja këndon për ditë e për natë

Sado që t’i hap e mbyllë të trishtë histori
Prapë nuk kam lindur kurban për ty
Sidoqoftë puna o ogurzi
Asesi nuk kam lindur t’ ma marrësh jetën ti.

ObserverKult