Sergej Esenin: Të ëndërron me mall kjo zemra ime…

sergej esenin tanjusha...

E imja tokë! Të ëndërron me mall kjo zemra ime,
ujëvarave që bubullojnë, mullarëve diellore,
do doja të humbisja këtu i tretur në mendime,
në mes blerimit ëmbëltor, netëve pranverore.

Tutje, gjerdhet e arave me mjeshtëri qëndisur,
me lulet e gjembaçëve, me gjethet e tërfilit,
me shelgjet e rreshtuara, bahçenë gjerdan stolisur,
rruzaret e murgeshave dhe këngët e bilbilit.

Këneta retë po i tymos me mjegullën e imët,
dhe tymin shfryn drejt qiellit ca rrathë duke sajuar,
porse një heshtje gjithë mister vjen e më kthen mendimet,
që zemrës thellë, një tjetër kush, për mua i ka shkruar.

Të gjitha unë i admiroj, me to jam përqafuar,
frymën këtu dua ta lë, një natë të qetë me hënë,
në këtë tokë plot shenjtëri erdha për të jetuar
dhe shpejt afrohet ajo orë kur do t’i lë shëndenë!

1914


Shqipëroi: Arqile Garo

ObserverKult


mehdi malkaj sergei esenin

Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: KJO PUNË KA MARRË FUND

Kjo punë u vendos, tani nuk ka kthim!
Fushat ku linda do t’ i lë përgjithmonë.
Oshtimën e plepave gazmore në agim,
më nuk do ta ndjej. As më bëhet vonë!

Izba e ulët do rrënohet ndër vite,
dhe qeni plak, prej kohësh ka shkuar.
Sokakëve të ngushta moskovite,
do vdes, kështu më qenkej shkruar.

E dashuroj këtë qytet të plakur,
dhe le të jetë nga koha i zvetënuar.
Azia e përgjumur, e përflakur,
përmbi kupola fle pa u ankuar.

Dhe natën kur, del hëna vezullore,
me një shkëlqim që… lërmë të rroj o Zot!
Nisem kokulur, për në pijetore,
rrugicave të errëta, gjoja kot.

Klithma, zhurmë e rrëmujë brenda skutave
gjer n’ agim pa pushim pi e fol,
u lexoj poezi prostitutave,
dhe banditët i ndez me alkool.

Më rreh zemra gjithmonë e më shpesh,
më ngatërrohen ca vargje në gojë.
“Jam i humbur, si ju, merrni vesh,
dhe të kthehem, nuk kam ku të shkoj!”

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult