Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Fahredin Shehu.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Aroma e fëmijës së porsalindur.
Cila është frika juaj më e madhe?
Mos t’i hy hakut dikujt.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nënën, dhe kam thënë disa herë nëse Zoti do të ma lejonte që dikë t’ia përshkruaj afër atij atë do ta adhuroja si Zotin në tokë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Muhyuddin Ibn Arabi, Vivekananda, Madame Blavatsky. Është kjo trini e njerëzve më të ditur për mua.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Fjalën e fundit e them të parën. Nuk kam takt diplomatik. Nuk di me rrejtë.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Fodullëku.
Në cilat gjëra e teproni?
E teproj në Mirësi dhe Karbohidrate. Dy armiq të mi që më hanë nga brenda.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Çdo situatë për ta shpëtuar mikun.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga për në Konya, te mauzoleu i Rumiut ku kam shkruar tre poezi, rruga për në Meshhed, te mauzoleu i Firdousit dhe rruga për në B’shari, në vendlindjen dhe mauzoelun e Khalil Gibranit. E kam ndje obligim t’u shfaq respekt poetëve të mi të preferuar. Dhe natyrisht rruga shpirtërore, disa teknika të mia të zbuluara të meditimit. Si Meditimi V dhe meditimi Këtutania.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Faleminderit. Mendoj se Faleminderit është emri më i madh i Zotit.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Vazhdon të më vie keq se ende jetoj në Kosovë. Kam pas dy raste të cilat nuk i kam shfrytëzuar. Tash duro dhe pëlcit!
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Tamara dhe Reisi.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Këtutania. Omniprezenca. Vipassana.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Modestinë e tepruar.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Përjetimi i dashurisë së vërtëtë. Tretjen në esencën e Perëndisë nëpërmjet gruas sime Nashides dhe realizimin e misionit tim të kem dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë në mënyrë që ta përjetoj dashurinë në trajtat e të dy gjinive me të gjitha nuancat kozmike në tokë.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Botën e kisha ndryshuar. Qeveri globale me heronj të dijes. Udhëheqje bazuar në vlera morale. E kam siklet me më udhëheq injoranti.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Kjo është jeta ime e fundit. Reinkarnimi i dhjetë. Kështu më thotë shkenca e Numerologjisë. Unë nuk do të kthehem më në asnjë formë apo trajtë tjetër sepse algoritmi im biokimik dhe kuantiko- mistik këtu mbaron. Për këtë jam shumë i sigurt. Fakti se asgjë më nuk më befason është dëshmi e kësaj sigurie. Nië është Absoluti, çdo gjë tjetër është relative.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Shpirti.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën e njerëzve.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Aleksandria dhe Ifahani. Në veçanti Isfahani dhe vetëm ata që kanë qenë atje e kuptojnë për çka flas.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Premtimin e realizuar.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Çdogjë. Çdogjëja e saj e matur me kandar hyjnie.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Shumë e vështirë kjo pyetje…Hafiz, Rumi, Gothe, Leo Tolstoy, Ëhitman, Mikhail Naimy, Gibran.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Gjithë fëmijët e botës.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Muzikën. Çelo më dërgon thellë në primordialitet. Në rrugën ku do të shkoja pa mendjen e kthimit.
Si do të dëshironit të vdisnit?
I pjekur. Metanioa, realizim i plotë mistik, Samadhi, Fana e sufinjëve. Tretje kontemplative në esëncën e Perëndisë.
Cila është motoja juaj?
Neve na mungon vokabulari tokësor për çështjet qiellore. /ObserverKult