Intervistë me aktoren Shengyl Ismaili.
Intervistoi: Zamira Rexhepaj
Kur ndodhi ajo thyerja e madhe, në të cilën ju u përcaktuat përfundimisht për aktrimin?
– Nuk mundem me thonë që kam pasë naj thyerje, por gjithmonë kam qenë adhuruese e artit, si muzikës, teatrit, filmit… kur kom fillu me i përcjellë shfaqjet, e imagjinojsha veten në skenë, dhe aty e kam ditë që unë duhet të merrem me art.
Sa është e vështirë të jesh aktore në Kosovë, cilat janë përparësitë dhe vështirësitë?
– Jo shumë e lehtë, po kjo e bën edhe më të bukur profesionin tim që e du shumë. Përparësi ka shumë, për shembull, mund të hysh në lëkurën e njerëzve me karaktere të ndryshme, dhe të kuptosh se si ndihen ata… je afër publikut gjithmonë… je njifarë frymëzimi për ta, së paku mua ashtu më referohen, e kjo të bën me u ndi shumë mirë. Vështirësitë janë të shumta, duke fillu nga mbështetja e paktë që e marrim nga shteti ynë, kemi mungesë të gjanave elementare, nuk vlerësohemi sa duhet. Si dhe ndonjëherë të humb privatësia, ndonjëherë kam nevojë të jem vetëm Shengyli, jo Shengyli – aktorja.
Nëse s’do të ishe aktore, ku do të ishte sot Shengyli?
– Hmm, muziciente sigurisht, do të isha këngëtare (sikur të kisha pas za për këndim) po përndryshe e kam problem ta imagjinoj veten diku tjetër pos hapësirës së artit.
Ju shohim në teatër, film e seriale. Në cilën ndjeheni më mirë dhe cila ju sfidon më shumë?
– Të trijat janë pjesë e pandashme e imja, por më sfidues më duket teatri, sepse gjithçka asht e drejtpërdrejtë, ke publikun përballë, pavarësisht se e sata reprizë asht, për mu duhet të jetë premierë se publiku dallon, pavarësisht se si ndihesh atë ditë, ti duhet ta japësh maksimumin sepse publiku ka pagu biletë, dhe nuk i intereson gjendja jote, ti duhesh me interpretu për ta në mënyrën më të mirën, për këtë arsye sfidues për mua është teatri, se adrenalina është shumë më e madhe.
Aktrimi ndër të tjera është edhe revoltë, sa mendoni që përmes aktrimit mund të realizohen qëllime e kauza të ndryshme, siç është për shembull kauza feministe, në të cilën jeni e përfshirë mjaft shumë edhe ju?
– Unë gjithmonë e them, secili nëpërmjet fushës së vet e tregon revoltën, unë e tregoj nëpërmjet artit tim, e kam obligim, sepse jam fytyrë publike, dhe kam influencë edhe gjithmonë mundohem të jem krah i djathtë i grave dhe vajzave, por jo vetëm, në përgjithësi krah i të drejtave të njeriut. Asnjëherë nuk refuzoj çkado që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, nëse vetëm nji mesazh i imi qoftë nëpërmjet nji videoje sensibilizuese, ose video vedijësimi shkon në vesh të nji njeriu që ka nevojë ta dëgjojë atë mesazh, për mua asht qëllim i arritun, thjesht e kam obligim të përçoj mesazhe dhe kjo më bën të ndihem mirë.
Filmi në Kosovë ka avancuar dhe ka pasur ngritje ndoshta më shumë se kurrë më parë. Si e shihni, është meritë e aktorëve dhe tërë stafit filmik apo kanë meritë edhe institucionet përmes mbështetjes së tyre?
– Është e vërtetë, filmi ka marrë hov të madh, pa dashtë me tingëllu egoiste, por unë mendoj që asht meritë e aktorëve të mrekullueshëm që i ka Kosova, regjisorëve fantastik, producentëve shumë të mirë, e pastaj institucioneve tona, kjo e fundit bën shumë pak për ne…
Shteti ynë i ri promovohet më së shumti përmes artit e kulturës, ndërsa në anën tjetër nuk ka mbështetje të mjaftueshme institucionale. Pse mendoni që ndodh ky paradoks?
– Po mos të ishte arti ynë, bota na kish njoftë vetëm përmes politikës, e kjo kishte me qenë e tmerrshme. Arti ynë ka tregu se ku asht Kosova, që edhe ne gjindemi diku në hartë, që kemi muzikë, sport, film, teatër, piktur etj., po si duket shtetit tonë nuk i bën përshtypje, krejt çka bëjnë ata asht nji foto për media e portale… dhe aty ndalet veprimtaria e tyre kundrejt individëve të suksesshëm të këtij vendi, e kjo asht e dhimbshme.. po mos të ishte arti ynë, një Zot e di se çka do flitej krejt nëpër botë për ne (nëse veç dikush prej tyre e kish’ dëgju emrin Kosovë).
Sa e sfidon veten me role të vështira e të ndërlikuara. Të frikësojnë apo ke dëshirë të sfidohesh?
– Uh i du sfidat, i du rreziqet, nuk e du të zakonshmen, kjo vlenë jo vetëm për profesionin tim, por në përgjithësi. Shumë ndihem e përmbushur kur më ofrohet nji rol që nuk ka të bëjë aspak me karakterin tim, edhe interesant zakonisht rolet e mia si në teatër ashtu edhe në film i kam të tilla, të vështira, jashta meje… e kjo e bën edhe më të bukur artin tim.
Viti që kaloi ishte i vështirë, duke filluar nga pandemia e krizat e ndryshme si mungesa e energjisë elektrike, ku keni anuluar madje edhe shfaqje në teatër për këtë shkak. Si motivoheni në kohë sfidash të tilla?
– Kjo khe nuk ka qenë e lehtë me askënd në asnji fushë, por sidomos fusha e artit është prekur shumë, hmm si motivohem, paj, këndoj… shkruaj statuse, lexoj… dëgjoj muzikë, filma…
Shpeshherë masa mësohet me ju në rolet që i luani dhe të atillë ju sheh edhe në jetën private. Sa e vështirë është kjo?
– Tejet e vështirë, puna jonë varet nga publiku, ne punojmë për ta, por nganjëherë asht e vështirë, sepse nuk më dallojnë nga rolet, mendojnë se jam ajo që kanë pa në televizion, film, ose teatër… jo gjithmonë asht e lehtë të përballesh me publikun, kam pasë raste pafund, kam edhe sot e kësaj dite, që kur të ulem në tavolinë me dikë që e ka pa artin tim, më kanë thënë wow kom mendu që je ndryshe… ti qenke shumë e thjeshtë, je duk nji mendjemadhe bash si në role… Diçka çka nuk më pëlqen hiç nuk më bën me u ndi mirë, është kur më thërrasin me emër të ndonjë roli, sepse unë jam Shengyli e jo personazhi i filmit apo serialit të cilin ata e kanë pa.
Gjenerata e re, thuajse si në çdo sferë tjetër jetësore këtu, janë më të demotivuar dhe njëra ndër shkaqet siç keni thënë edhe ju është se ata para se ta dashurojnë aktrimin, e duan famën. Mungesa e famës a i demotivon aktorët, si dhe anasjelltas sa ju motivon fama dhe vlerësimet?
– Po, nganjëherë frikësohem se të rinjtë hyjnë në këtë profesion për shkak të famës, edhe gjithmonë kur më bie puna të rri me aktorë të rinj ju them, duaje aktrimin teatrin filmin, fama vjen me kohë, por njiherë duhesh me e meritu, me i tregu publikisht se kush je ti, ofroje artin tënd, publiku asht shumë i mençur e kritikues, nese ti ofron art të mirëfillt ata kanë me të vlerësu, e duartrokitë e besa ta ofron edhe famën. Natyrisht që secili prej nesh ndihemi mirë kur na njohin në rrugë, se ne për publik punojmë dhe ndihemi mirë kur na vlerësojnë, shpërblimi që ne kërkojmë për punën tonë asht duartrokitja e publikut, ajo na bën me dije se qëllimi ynë u arrit.
Cilat janë planet e juaja për këtë vit? Ku do të fokusoheni më shumë?
– Këtë vit filloj me nji punë që nuk e kam bërë më herët, do e sfidoj veten me moderim të nji emsioni, si dhe në prill filloj xhirimet e filmit ku kam nji prej roleve kryesore.
ObserverKult
__________________
Lexo edhe: