Sheremeti: Teatri po “sulmohet” nga “armiqtë”… po nuk vdes kurrë!

Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti.

Nga: Vlora Ademi

-Tani që jeni në krye të Teatrit Kombëtar dhe ka përfunduar i gjithë procesi, a jeni i gatshëm të na shpalosni planet tuaja?

Së pari ju faleminderit shumë për interesimin tuaj të vazhdueshëm për punën dhe planet e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sa i përket planeve të mia si Drejtor i përgjithshëm i TKK, meqenëse janë shumë dhe të detajizuara në një plaformë të cilën e kam dorëzuar edhe me rastin e intervistimit tim për këtë pozitë nga Këshilli Drejtues tek TKK, një e përgjithshme dhe me e rëndësishmja (sipas meje) është se, TKK duhet të jetë e hapur ndaj vetes, por edhe ndaj botës, qoftë sa i përket mënyrës së formave të menaxhimit, prodhimit të shfaqjeve, komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm, por edhe shfaqjes së produksioneve të saj në botë, e cila për fat të keq ka munguar shumë gjatë viteve të fudit.

Çfarë lloj mendësie dhe strategjie kërkohet për rolin e drejtorit të teatrit?

Gjithmonë sipas meje, sepse nuk ka ndonjë teori fikse, besoj shumë në atë që e ka thënë Henry Mintzberg se “Menaxhimi është mbi të gjitha një praktikë ku bashkohen arti, shkenca dhe pajisjet” dhe, kjo është edhe moto dhe strategji e imja e përgjithshme për vitet e ardhshme.

Ka pasur vazhdimisht kritika ndaj udhëheqësve të mëhershëm nga aktorë që kanë mbetë jashtë këtij institucioni.  A ka hapësirë edhe për ta? A do t’i shtohen kuadro (të reja) Ansamblit Rezident të teatrit me ju?

Teatri Kombëtar i Kosovës ka mungesë të numrit të aktorëve në Ansamblin rezident dhe kam marrë premtime të forta që brenda këtij viti do të hapet edhe konkursi për plotësimin e këtyre vendeve. Pra, kur ka mungesë të numrit të aktorëve, nuk bëhet fjalë për mosangazhim të atyre që janë të punësuar. Por një është e sigurt, TKK ka nje trupë që mund të krenohet në raport me shumë teatro të tjera në botë.

Kushtrim Sheremeti

Teatrot e rajonit, e edhe më gjerë, në kuadër të programeve të tyre, aktorëve nga jashtë ju ofrojnë rezidencë brenda objektit të teatrit, gjë që edhe ua lehtëson punën disa mujore atyre. A ka kapacitet edhe Teatri Kombëtar t’u ofroj këtë mundësi (komoditet) aktorëve?

Një lajm tjetër i mirë është se, në strategjinë e MKRS është edhe renovimi i objektit të TKK, i cili të ju them të drejtën nuk është me pak probleme. Në vazhdën e këtij renovimi do të insistojmë që edhe ajo që dikur është quajtur ‘rezidencë për artistet e huaj” të ri-funksionalizohet brenda këtij objekti.

A keni ndonjë plan që t’i ktheni në program shfaqjet më të mira të pasluftës?

Me vet hapjen që do t’i bëjmë Teatrit ndaj vetes dhe botës, do të tentojmë të kthejmë në skenën tonë së pari të gjithë aktorët më të mirë që i ka Kosova (dhe unë ju garantoj se Kosova ka aktorë që i lakmon bota), përfshirë edhe ata që dikur në kohën e pasluftës kanë punuar ditë e natë që ta rifunksionalizojnë Teatrin.

Shfaqja “Inspektor Limi”

A keni strategji si t’i mbani gjatë në repertoar shfaqjet e mira?

Absolutisht se jemi të hapur dhe kemi ambicie që të vijmë në situatë kur shfaqje të tilla në TKK të jetojnë në skenë për 10 vjet dhe këtë do ta bëjmë vetëm duke prodhuar shfaqje cilësore dhe duke e sjellë publikun në teatër. Megjithatë, mos harroni se TKK ka një publik teatërdashës, që janë frekuentues të rregullt të tij, por sidoqoftë, ne do të mundohemi që ta shtojmë interesimin për shfaqje e teatër edhe tek të tjerët.

Përveçse, tashmë drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, ju jeni edhe aktor i dalluar. Çka ju bënë të jeni i tillë, pra i dalluar?

Një pyetje e tillë kërkon një përgjigje shumë jomodeste nga një njeri me tendenca modeste siç jam unë. Sidoqoftë, besoj se deri sot më kanë ndihmuar këto gjëra në “zanatin” tim. Dashuria dhe respekti për te dhe gatishmëria për punë 24/7.

Kushtrim Sheremeti

Gjatë shfaqjes Lela&Co fiks në ora 20.00 i është ndalë rryma teatrit dhe ju keni reagur për këtë. Ndaj kujt keni ironizuar me “Kosovë Djep Lirie”?

Lajmi i mirë është se gjeneratori në TKK është funksional sot!

Gjatë viteve të ’80-ta Teatri i Kosovës, ka qenë i vlerësuar si njëri ndër teatrot më të rëndësishme dhe më të mira në ish-Jugosllavi. Duke e anashkaluar periudhën 89-99, nga ka ardhur degradimi?

Unë nuk besoj në këtë cilësim të degradimit të TKK sot! Megjithatë, TKK ka prodhuar dhe vazhdon të prodhoj shfaqje të mira të cilat janë shfaqur dhe mirëpritur në shumë vende të Evropës, por edhe në botë, nga Kolumbia deri në Afrikën e Jugut. Dhe kjo ka ardhur pikërisht sepse kemi pasur një gjeneratë të jashtëzakonshme të aktorëve që nga themelimet e teatrit në Kosovë në vitet e ’40-ta dhe kjo edukatë kulture teatrore ka vazhduar edhe pas luftës, po vazhdon edhe sot. Jemi me fat që jemi një vend i vogël që gjithmonë ka prodhuar aktorë të mirë dhe teatër cilësor. Vetëm duhet të jemi më të hapur ndaj botës, formave të reja tearore dhe do të jemi aty ku e meritojmë. Por për gjithë këtë, kërkohet kohë dhe punë e madhe, ndërsa lajmi i mirë është se të dyja këto i kemi në dispozicion.

Kushtrim Sheremeti dhe Leze Qena

Në skenën e Teatrit Kombëtar janë vënë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Për cilat është i interesuar më shumë publiku kosovar?

Publiku në Kosovë di të vlerësoj bukur. Dhe i njëjti publik kërkon shfaqje të mira të cilat nuk përton të vijë t’i ndjekë, madje edhe më shumë se një herë. Këto mund të jenë inskenime të dramaturgjisë botërore, por edhe kombëtare. E ne do të mundohemi shumë që jo vetëm të inskenojmë tekste kombëtare, por mbi të gjitha të ndihmojmë në zhvillimin e saj përmes metodave të reja të shkrimit.

Për fund, cila do të jetë sfida më e mëdha që do të përballeni gjatë mandatit tuaj si drejtor i institucionit suprem të kësaj lëmie?

Jo vetëm TKK, por të gjitha teatrot në botë kanë shumë “armiq” e që janë mediet tjera, kryesisht ato elektronike. Shto këtu edhe situatën e krijuar në dy vitet e fundit me pandeminë, që e ka bërë edhe më e vështirë punën. Teatri ka shumë vite e dekada që “sulmohet” nga “armiq” të tillë, por lajmi i mirë është se teatri nuk vdes kurrë!

ObserverKult

Lexo edhe:

KAJTAZI: BALETI DO TË SJELL PËRHERË E MË SHUMË SHFAQJE KUALITATIVE…