Preç Zogaj: Pasi u deshëm atje…

Si një kujtim prej peme,
Si zemërim zemre,
Flokët e tu në erë shkapërdarë,
Duart e tua në ajër duke qarë.
Karshi, krejt përkarshi vije dje dhe nesër,
As arrinte perëndimi, as pushonin dënesjet…

Një vizë e drejtë ne ishim
E gjatë sa na sheh syri,
Të lirë në largësi,
plot frikë për t’u afruar,
se s’ishim vetë ne, ne ishim shëmbëllimi
i krijesave më të dëlira që ndjenja ka krijuar.

Kështu shumë kohë u pamë
N’Ahiret e përtejme,
ku s’kishte më shtëpi, as përbetime,
ku s’kishte më asnjë fuqi mbi ne,
përveç një dhimbjeje.

Dhe pasi u deshëm atje
të dehur dhe të zgjuar,
u kthyem për të vdekur
edhe njëherë këtu,
në një mënyrë të zakontë dhe të paduruar,
të mbyllur veç në dru.


LEXO EDHE: “NJË E TRETË DASHURIA”, PREÇ ZOGAJ VJEN ME NJË LIBËR, PËRMES VARGJESH NA KUJTON ATA QË NA MUNGOJNË

Poeti Preç Zogaj ka promovuar librin e tij të fundit me poezi, “Një e tretë dashuria” ku përmes vargjeve, rrëfen muzat dhe kujton ata që na mungojnë.

Preç Zogaj tha se “një veçori që ka poezia është se autori se duhet të mbetet vetvetja pa e përsëritur veten. Për librin ‘Kalimi’, Ndoc Gjetja më thoshte se nuk mund të shkruash një libër më të mirë se ky”.

Për poeten Natasho Lako, libri i fundit i Zogajt është festë e Gjuhës.

“Është si ai trëndafili që hapet. Hapet vetë fjala dhe zë një vend të çuditshëm që nuk e ke në asnjë poet tjetër. Është një marrëdhënie që e riuzbulon vetëm Preçi dhe kjo është një nga gjërat më të bukura që tregon pjekuri të madhe artistike”.

Poeti laureat dhe drejtoresha e qendrës së Librit, ofruan dy këndvështrime të tjera, që rrokin sa të shkuarën po aq edhe nevojën, duke nisur nga titulli.

Rudolf Marku, tha se “është një titull që na kthen te koncepti i Lasgush Poradecit që ka poezinë e famshme që nuk dashuronim as unë as ti, por dashuronte dashuria. Pra ka nevojë gjithnjë për një të tretë.”…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU