Sidorela Berishaj: Gjurmë

Poezi nga Sidorela Berishaj

Të përqafuar me heshtjen
ndalojmë të marrim biletën e jetës
zbresim ngadalë ngarkesën e mendjes
pushojmë pak lodhjen e shpirtit
nisemi me çantën e dëshirave në krah
e vrapojmë të kapim ëndrrat

hapat tanë galopantë në simfoni
me shpejtësinë e kohës
nguten të zënë trenin e shpresës
duart e mendjes zvarrisin bagazhet
here të rënda, herë të lehta
matë në peshoren e ndërgjegjes

rrugës, duke e përkëdhelë fatin
tërheqim valixhen e madhe të mbushur plot
me përpjekjet e vuajtjet e Sizifit
me sfida, gabime, arritje e zhgënjime

duart e zemrës mbajnë valixhen e vogël
brenda saj ruajmë si thesar
dashurinë, kujtimet
ëndrrat, paqen e dëshirat

jeta i ngjan bagazheve të vogla
herë-herë e bukur, e në dukje e lehtë,
por kurrë e mjaftueshme
udhëton bashkë me ne në çdo kohë
në buzëqeshjen e diellit
në fshehtësinë e hënës

zbritëm në stacionin tjetër
të ulur në stolat e harresës
përballë dritares së mendimeve
sytë e shpirtit numërojnë bekimet
me thjeshtësi zbusim krenarinë
u buzëqeshim lehtë zhgënjimeve

të përhumbur qetësisht
në mjegullën e shpresës
me besimin kapun për dore
me durimin sa një mal
me gjurmët që trazojnë heshtjen
presim udhëtimin e radhës…

ObserverKult


Lexo edhe:

SIDORELA BERISHAJ: E DUA NATËN…