Sokrat Habilaj: Ti s’je e imja, e gjitha…

trokitjen

Ti, nuk mund të jesh imja, e gjitha,
Ndryshe do ishe një grua, si të tjerat.
Që kafshojnë pa zë, germa të trishta,
-Jam e tij!- dhe i harrojnë dhe emrat.

Ti s’mund të jesh imja në çdo detaj,
Ndryshe bëhesh hartë me hieroglife.
Ku do firmosja në fund:- Burri i saj,
E pastaj do të mbyllja në një shishe.

Ti s’mund të jesh imja në çdo pjesë,
Ndryshe si barbarët që nisen në luftë.
Do t’i vringëllija armët mes për mes,
Të pushtoj një pllajë, kodër, a skutë.

Ti, nuk mund të jesh imja, e gjitha,
Ndryshe ti do ishe veç një gënjeshtër.
Vërtet s’mund të jesh imja në grimca,
Po asnjë grimcë jotja, s’ka zot tjetër!

———————————————————–

LEXO EDHE: SOKRAT HABILAJ: TRADHTITË E MIA KANË EMRIN TËND!

Të dua, më shumë se dje të dua sot,
Më shumë se sot, do të dua nesër.
Bëj të iki nga ty e nuk iki dot,
Fle me ty e zgjohem me një tjetër.

Betohem për ty dhe e dredh në çast,
Sepse ti në sy, shpik një tjetër grua.
Kërkoj ca yje, gjej dy sy të zjarrtë,
Që përgjërohen dhe qeshin me mua.

Përqafoj dikë, ti më mbyt në puthje,
Dehem me ty, e tjetër kam në mend.
Nisem të humbas, vij tek ti me ngutje,
Tradhtitë e mia kanë emrin tënd.