Sonila Meço: Në një vend ku arsimi dergjet në cilësi katastrofale…

Nga Sonila Meço

Në një vend ku arsimi dergjet në cilësi katastrofale, me institucione të renditura gjithnjë e më poshtë në listime rajonale e ndërkombëtare, ku kultura matet me beton për metër katror skenash, këngëtarë videoklipesh për metër kub, botime bestseller sharlatanësh, ku arti “shpërthen” kryesisht në dizenjo kravata liderësh dhe ekspozita politikanësh, ku media tradicionale konkuron tik-tok-un e instagramin, ku shoqëria civile mund të mbijetojë vetëm si zyrë marrëdhëniesh publike me pushtetin e m’u për këtë ngjajnë si dy pika uji në metoda, formë e përmbajtje, ku familja sfidohet për jetesë e mbijetesë nga mundësitë gjithnjë e më të pakta për të punuar ndershmërisht e shpërblyer me meritë, ku edukimi bëhet në rrjete sociale me metodologjinë “mëso si të shesësh mirë asetet fizike”, ku bursa financiare funksionon vetëm në “valutë” të pistë e zhul, ku shteti është biznesi privat më i fuqishëm, ku drejtësia është një kapriço e dështuar ndërkombëtare pleksur me interesa dhe inate province, ku politika është arsyeja dhe përgjigja e gjithçkaje, ku zgjedhjet vidhen, masakrohen e kriminalizohen pa asnjë dert, ku liria është më shumë e rrezikshme se paqja e “skllevërve”, ku ligjet i bëjnë a misura për “parinë”, ku nostalgjia për diktaturën buron nga rrënjët e munguara të lirisë e si e tillë rritet vetëm në laboratorin e një vendi eksperimental, ku ngushëllim mbetet ideja se fëmijët të paktën do të ikin nga këtu, patjetër që në këtë vend pra lajmet e përditshme do të jenë një pasqyrim i denjë i xhunglës, reagimeve instiktive e ku shpëtimin do t’ia kërkojmë Tarzanit.

ObserverKult


Lexo edhe:

SONILA MEÇO REVOLTOHET NDAJ BIG BROTHER: BANORËT PO PËRDOREN E MANIPULOHEN NGA NJË TV PRIVAT…