Stephen Spender: Zoti i luftës

(Rënia e Francës, 1940)

Pse s’mundet pëllumbi
Vërtet i mbramë
I paqes të vijë?

Dhe grurin do ta ndanim?
Dhe ushtarët do të dërgoheshin në shtëpi?
Dhe kufijtë do të rrënoheshin?
Dhe armiqtë do të faleshin?
Dhe s’do kishte hakmarrje?

Ngase pushtuesi
Është vegël e fuqisë
Që dërrmon zemrën e vet
Nga frika e frikës së mëparshme
Kur ata që ai tash i ka mundur
Kanë mposhtur babain e tij hero
Duke mbështjellë djepin e tij
Me ankth legjendar

Sot fitorja e tij
Sërish të ngulfat me shqetësimin e tmerrshëm
Nga frika se mos fëmijët e këtyre të vrarëve
T’i tregojnë dhëmbët e kuçedrës,
E tash dielli i tyre po perëndon,
Për të dalë sërish nesër
Që ta njollosë qiellin me gjak
Për t’i hakmarrë etërit e tyre të vdekur.

Të vrarët, të mbushur me plumb,
Në fushën pa dalzotës
Mund të ëndërrojnë arsye të përshpirtshme
Të mëshirës, ama, medet
Edhe ata ishin sjellë njësoj
Në vaktin e vet.

Bota është kjo që është
Dhe as i vrari
As vrasësi nuk falin.
Nuk ka parajsë mbi ne që u vë
Kapak historive të papërmbajtura
Në dashuri të pafundme.

Megjithatë, në detet e trazuara
Të dëshpërimit shpresëkëputur
Dashuria kurrë s’duhet të pushojë.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

FARUK SHEHIQ: KUSH E KA VRARË FËMIJËN TIM?