Sueton Zhugri: Mbi tavolinë kam lënë adresën…

nesër Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit që të shkosh të ujisësh fotografinë dhe lulet në verë, (mos u merr erë, është shumë herët)

Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit
që të shkosh të ujisësh fotografinë
dhe lulet në verë, (mos u merr erë,
është shumë herët)
Si edhe dyrrotakun e vjetër, diellin nuk ta vjedh kush, dil e ngrohu kur e sa të duash.
Po ta lë ty, siç ma la ime më.
Hënën me yjet mblidhi në një shportë
e mbaji si kurorë mbi çati. Janë të gjithë tuat. Puhizën e agut thellë mbi liqen
e paç amanet, thithe deri në fund, nuk ka gjeografi, as padron.
Edhe këngën e rosave t’egra. Ruaje në shpirt.
Mos prit nga të tjerë. Ke lindur i lirë.
Puth vetëm këmbët e tua, edhe kur mbyll sytë. Kometat janë sivëllezërit e tu. Shaloji si kuaj dhe fluturo abisin me to.
Të lë amanet edhe qiellin, mbulohu me blu
sa herë të mbetesh lakuriq. Zogjtë e shesin
me copëza pa leje çdo ditë, askush nuk u kërkon llogari.
Qielli del e tepron në pafundësi.
Dheu i tokës dhe rëra e detit janë shtrati yt.
Rehatohu kur të duash. Ti je prona jote. Atdheu yt është lëkura jote.
Lotët burimi yt. Të kam falur buzët dhe sytë, por edhe kockat e brishta. Jepja fëmijës tënd. Të lirë e të mirë.
Mbaj hapur portat e zemrës.
E vetmja gjë që s’është jotja është dashuria. Dhuroje! Ti je pjesë e së tërës,
që është edhe pjesa jote. Mos kërko lumturinë, ajo do të vijë të kërkojë ty.
Është e palimit. Puthmë ballin e fotografisë mbi pllakë. Lamtumirë bir…

23.11.19

ObserverKult

Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: TA DISH…