Ti fshehtas qan, e dashur…

Ti fshehtas qan, e dashur…” poezi nga Valeri Brjusov

U ngrys, u err liqeni; ra heshtja përmbi dhé.
Zëmbaku mbylli buzët; kallami u kërrus e fle.

S’dëgjohet ros’ e egër; mbi ujin që dremit
Në qiell priret, çirret dhe ndrit ndonjë nosit.

Dhe barka nanuriset mbi valën që po fle
Dhe drita e zbehtë e hënës mbi valë vjen te ne.

Ti hesht e dashur; un’ hesht e hesht gjithkund,
Besnikë të kësaj nate me hënë e yj pa fund.

Një mjegull ra mbi brigjet dhe përmbi pyll pllakos;
Nën qiellin plot me yje ngjan bota se fundos…

E di, e di, e dashur si rri në qetësi,
Si prapë e trishtuar mendon për mua, ti.

E di se mes trishtimit një ëndërr vjen të merr …
Thërret, rënkon nositi, pastaj humbet në terr

Dhe heshtja rritet, rritet dhe nata lehtas vjen,
Ti fshehtas qan, e dashur, përkulur mbi liqen.

Përktheu: Petraq Kolevica

Kush ishte Petraq Kolevica? Këtë mund ta mësoni duke klikuar këtu

Lexo edhe:

Shkrimtari kujton bisedën me Lasgush Poradecin: Ajo karakatinë një ditë do zhduket…

Arkitekti, shkrimtari e përkthyesi Petraq Kolevica, mik shumë i afërt i Lasgush Poradecit, në librin e tij me kujtime “Lasgushi më ka thënë”, (faqe 94 – 95) tregon:

“Ishim në Pogradec, në shtëpinë e tij, atje në odiçkën e katit të tretë ku i pëlqente të rrinte. Se si mbahej në këmbë ajo shtëpi, e veçanërisht ajo odiçkë, me ato mure gjysmë çatma, gjysëm me tulla këllëç, unë, si inxhinier s’i kam dhënë dot shpjegim dhe gjithnjë kam shkelur me frikë mbi dërrasat e dyshemesë së arnuar dhe duke parë muret e plasaritur.
Aty, pra, në odiçkë, ai duke ndenjur mbi një shtrat hekuri dhe unë mbi një arkë dërrase me libra e duke uturuar së bashku në qiejt e poezisë, e këputi bisedën dhe më tha se e kishin lajmëruar që do t’ia riparonin shtëpinë me shpenzimet e shtetit.
Me atë rast unë i thashë të kërkonte që riparimi të bëhej pa ndëruar strukturën, formën e banesës, ambientet, në mënyrë që t’i mbetej sa më shumë besnike shtëpisë ku ai kishte banuar një jetë të tërë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu: