Tri poezi nga Afrim Demiri: A isha unë ai

afrim demiri çelës gjuha e heshtjes

Nga: Afrim Demiri

A ISHA UNË AI

A isha unë ai
që luaja Kulla e prishtë dhe lutësha të mos binte shi

A isha unë ai
që gjuaja sorrat
me thupër thane
e i shkun’sha retë
e kokërrizit

A isha unë ai
që ecja nëpër binarë
e fluturoja si xhitë

A isha unë ai
që bëlbëzoja vjersha
mbi socializmin dhe rrënjën katrorë e nxirrja përmend’sh

A isha unë ai
që nëpër borë topin bajsha ortek
e vet në fund të lojës
isha një dordolec i ngrimë

A isha unë ai
apo dikush tjetër
kur në demonstrata
i thirrja lirisë si nanës
së humbun

Nëse atëherë isha unë
cili jam sot

DYZIM

Ra reja e dyshimit
mbi mue
prej maje kreje e dekteri te kamt’

Ashtu siç pati ra
rrufeja në Lisin e mrizave
dhe e pat ça në dysh

Prej atëherë në gjoksin
tem zgur
zemra m’asht ba Gur
dhe nje hut huton hutinë
e tij.

MËKATI I DRITËS

E pashë hijen time
të tejzgjatun përtej udhës
dhe më zuni mllefi në të

ecte para meje
e krekosun

Më ra
hija e gjetheve në fytyrë
ngjyrën e syve ma ndryshoi
dhe nuk e njoha gjelbërimin

Shikova tutje mbi male
Hija e reve të zemrueme
kishte përulë krenarinë e tyre

Kur hija
e pllumbave n’fluturim
u shtri para kambëve t’mia
si sorrë krahthyer
ndjeva një kobzi

Ooo kur hijet
e përmendoreve shtriheshin për tokë
Luleplastiket e kunorave
shpërndanin pikëllimin shesheve

Dikur vonë kur nata
përbiu të gjitha hijet
e kuptova se

Mëkati i vetëm i dritës qenka hija.

ObserverKult


Lexo edhe:

AFRIM DEMIRI: KAM FRIKË, NGA NJERIU QË KA FRIKË…