Xhelal Ademi: Mos m’shiko, të lutem ik…

Foto ilustrim

Do ik e dashur mos thuaj jo
S’dua të derdhësh lot,
Çka donim ne nuk ishte kjo
Një botë që zhduket sot.

Tërmete erdhën tek unë ngjanë
Andaj s’të thash “të dua”,
Atëbotë hutuar të gjithë më panë
U lodhe shumë me mua.

Do ecim ndaras ti mos u tremb
Nuk ndodh asgjë e re,
Sado e brishtë e ndjej që dhemb
Por ndarje ka mbi dhe.

Dhe mos m’shiko të lutem ik,
Tutje se ku ta di,
Më ulet dielli përmbi qerpik
Përlot dy sytë e mi.

Tek zemra jote s’dua të dridhura
Pusho se s’prishet gjë,
Ka ndarje jeta dhe më të hidhura
Të vdekurit s’vinë më…

“Titulli i origjinalit: “Ndarje”

———————————————————–

LEXO EDHE:

XHELAL ADEMI: MERR GJUMIN TIM E MBYLLI SYTË!

Nga larg më thua, m’ka ikur gjumi
Se s’mund ta ndalja pa frenj në dorë,
Kur loti mbyti ca ura lumi
Në breg të shpirtit po binte borë.

Me digë qepallash se mbaja lotin
Prandaj e mbusha një det të tërë,
Veç pak më thua, ta njihja notin
Drejt teje rrugën do kisha bërë.

E ndjej që sonte t’ka mbytur shiu
Dhe t’solli ngrica mbi ca kujtime,
Ndaj t’lutem, gjaku nëse të ngriu
Merr hisen tënde nga zemra ime.

Dhe flej e qetë se vonë u bë
Po vjen e dehur një natë e dytë,
Por nëse gjumi s’afrohet më
Merr gjumin tim dhe mbylli sytë…

—————————————————

LEXO EDHE: XHELAL ADEMI: HESHTJE DHE MALL

Kot të prita n’sheshe bote n’kënde rruge kot të prita
Se ti erdhe përmes gote që sakaq me fund e ngrita,
Pastaj heshtje asgjë tjetër, asnjë zhurmë asnjë zë
Ndaj harresa kaq e vjetër bëhet sa një shekull më.

S`di ku humbën fjalët tua, ti më the, “mos pi raki”
N`vend të saj te një krua do t`më japish pakëz gji,
Se do vinje si një Zanë, si te Muja i plagosur
Gjersa jeta aty pranë t`gjitha rrugët mi ka sosur…

POEZINË E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU