Xhelal Ademi: Nëse mundesh të harrosh gjithçka tonën…

Xhelal Ademi

Nëse mundesh të harrosh gjithçka tonën përmbi dhe,
Gjithçka bëre e sodite gjithçka preke gjithçka pe,
Madje hapit përmbas shpine nëse mundesh t’i vësh emër
E t’i ndrydhish njëmijë heshtje që të ecin nëpër zemër.

Nëse mundesh t’i vësh fshesën gjithçka ishte jeta jote,
T’hedhësh ndjenjën nëpër detra mes valnajës fuqiplote,
Nëse mundesh të rrëmbesh gjithçka tënden që më dhe,
Dhe t’pështyshë nga ece dje për të hapur rrugë të re.

Nëse buzës i vë dryrin që t’mos shkrehet nëpër vaj,
Gjitha puthjet t’ia shkëpusish mu aty tek cep i saj,
E t’i hedhish përmbanë qiellit ose djegish përmbi prush,
Dhe e akullt t’i sodisish me atë sy të zi si rrush.

Nëse plagët mund t’i mbyllish t’arratisesh fare kot,
Mbi karvanët e kujtesës mos ia beh ky qiell me lot,
Nëse mundesh t’mbyllish sytë nën qepalla kur të shkosh,
Atëherë ndodh që të largohesh duke bartur shpirtin bosh…

*Titulli i origjinalit: “Ti mund të largohesh”

ObserverKult


Lexo edhe:

W. B. YEATS: KUR TË JESH PLAKUR