Poezi nga Xhelal Ademi
Një shteg të vetëm si nuk e gjete
Po sa i madh ky gjumë
Veç ndjenjat t’merrje aty me vete
S’më duhej gjë më shumë
S’ka gjë se velat n’atë anije
Aq grisur s’kanë peshë
Së paku n’ëndërr le të më vije
Nën një jorgan prej reshë.
Mos vallë premtimi që pate mbjellur
Të vdiq aty në gji
Se ndryshe udha do t’kishte sjellur
Dhe në rrebesh me shi.
Me hark ndjesie të ngreje urë
Kur vjeshta pemët zhveshi
Ska gjë, qyteti le t’kishte prurë
Të gjith’ lumejt te sheshi.
Me to dhe detrat le t’ishin fryrë
Le t’mbysnin t’gjitha brigjet
N’kala prej ere le t’ishte ndryrë
Ky malli im që digjet.
Se tash shikimet më janë të vrara
Dhe mangur shkon ky hap
I mugët qielli më shpifet para
Me zogj që s’mund ti kap…
ObserverKult
—————————–
Lexo edhe:
XHELAL ADEMI: SI S’MË ERDHE NË KUJTIME …
Si s’më erdhe në kujtime as në ëndërr s’dukesh më
Ndër acar të zemrës time të më bëje veç një zë,
Pata dertin të dëgjoja ku ke humbur kështu vallë
E së fundi të mësoja nëse brengës i bën ballë.
Si s’më çove asnjë letër, nga ke mbushur ditët tua
Nuk pandeha asgjë tjetër veç të ndjeja tek më thua,
Që s’ke shtuar tjetër rrudhë nga mërzia nuk je plakur
S’ka gjë se ndërrove udhë e ndërrove për t`më flakur.
Si ta pres një rast të dytë, ah sot doja ca shpjegime
Ky qytet ka mbyllur sytë, jo pa ty nuk ka vegime,
Kot vetveten marr për dore si gjej dot rrugicë të ndritur
Sepse m’plakën fije bore që mbi kokë më patën zbritur…
ObserverKult