Poezi nga Xhelal Ademi
Një shteg të vetëm si nuk e gjete
Po sa i madh ky gjumë
Veç ndjenjat t’merrje aty me vete
S’më duhej gjë më shumë.
S’ka gjë se velat përmbi anije
N’furtuna humbin peshë
Së paku n’ëndërr le të më vije
Nën një jorgan prej reshë.
Mos vallë premtimi që pate mbjellë
Të vdiq aty në gji
Se ndryshe udha do t’kishte sjellë
Dhe në rrebesh me shi.
Me hark ndjesie të ngreje urë
Kur vjeshta pemët zhveshi
S’ka gjë, qyteti le t’kishte prurë
Të gjith’ lumejt te sheshi.
Me to dhe detrat le t’ishin fryrë
Le t’mbysnin t’gjitha brigjet
N’kala prej ere le t’ishte ndryrë
Ky malli im që digjet.
Pa ty shikimet më janë të vrara
Dhe mangur shkon ky hap
I mugët qielli më shpifet para
Me zogj që s’mund t’i kap…
ObserverKult
Lexo edhe:
ISMAIL KADARE: O JU KORBA QË MË HANI, SYTË E ZEZË TË MOS M’I NGANI!